Një video e regjistruar mëngjesin e së dielës tregon momentin e krijimit të një vorbulle ajri në bregdetin e Gjirit të Lalzit.
Sipas dëshmive në zonë, vorbulla është afruar shumë pranë bregut dhe rreth 500 metra larg tij ajo është shpërndarë.
Fatmirësisht nuk raportohen dëme.
Por çfarë është fenomeni natyror që u regjistrua në Lalëz?
Waterspout është një kolonë e dendur ajri që krijohen mbi sipërfaqet ujore. Formë e ngjashme me një tornado, por jo e së njëjtës natyrë. Ato krijohen shpejt dhe përgjithësisht degradojnë në 30-60 min.
Rrallëherë ndodh që këto tornado ujore të lëvizin drejt tokës duke shkaktuar erë të fortë të menjëhershme dhe rrufe.
Në detin Jon, ky fenomen është i njohur dhe shpesh krijohen 2,3 apo më shumë kolona pranë njëra-tjetër; më rrallë shfaqen në Adriatik.
Nëse kolona ajrore i afrohet brigjeve, shikuesit duhet t’i shmangen. Ajo mund të jetë e rrezikshme sepse kolona e ajrit mund të ketë grimca akulli, kokrriza rëre apo objekte të vogla të forta, të cilat bëhen të rrezikshme kur era fuqizohet papritur.
Ato duhen shmangur duke u zhvendosur me një kënd 90 gradë, nga drejtimi i lëvizjes së tyre. (A2 Televizion)