Pisha të rrëzuara, të prera në mënyrë abuzive dhe mbeturina, është pamja që has sapo ngjitesh në kodrën e Krastës në Elbasan, të cilësuar edhe si mushkëria e qytetit. Përveç dëmeve të natyrës dhe erozionit, një rol jo të vogël në uljen e sipërfaqes së gjelbëruar në këtë park artificial luajnë edhe prerjet abuzive të bëra nga persona të ndryshëm. Dhe kush më mirë sesa një ish-punonjës i pyjores, që ka ndjekur Krastën që nga mbjellja e saj, deri më sot, mund të analizojë gjendjen aktuale.
“Duket që ka prerje abuzive, për interesat e njerëzve”, thotë për A2 CNN Ahmet Mehmeti. “Krasta i mbijetoi vitit 1997. Ne kemi bërë heroizëm kur na fluturonin plumbat në rrëzë të veshit. Por sot prerjet po bëhen abuzive”.
Natyrisht që edhe neglizhenca e autoriteteve lokale për ta ruajtur këtë pasuri ka pjesën e vet të mëkatit që shkatërron çdo ditë Krastën. “Lënia pas dore deri më sot, këtë ka sjellë si pasojë. Me rrëzimin e herëpashershëm i hapet rruga rrëzimeve edhe më të mëdha”.
E derisa bashkia të vërë në jetë projektet që trumbetohen prej vitesh për këtë zonë, persona me trungje pishash në krahë, në rastin më të mirë dhe ato me mjete që vijnë natën, do të vijojnë të shkulin çfarë të mundin nga kjo mushkëri që me bujari vijon të furnizojë me oksigjen qytetin e Elbasanit. (A2 Televizion)