
Pas dy vitesh në Shqipëri ambasadorja amerikane rrëfeu kodin e çantës që ajo nuk e heq asnjëherë në takimet e saj të dominuara nga agjenda politike.
“Që kur kam mbërritur në Shqipëri, rreth dy vite më parë, kam mbajtur me vete gjithmonë këtë çantë. Në të shkruhet ambicie, respekt dhe punë në grup, dhe akronimi është art. Kjo është shprehja që unë them në ambasadë, u them që ne duhet të bëjmë artin e diplomacisë”, u shpreh Kim. Ambicie, respekt dhe punë në grup, është trinomi i suksesit që Yuri Kim u tregoi edhe të rinjve për të ecur në rrugën e dijes dhe për të ngjitur shkallët e karrierës.
“Fakti që ju kam takuar sot, ndiej që jemi pjesë e të njëjtit ekip. Është e rëndësishme që të jeni vetvetja dhe të veproni me ambicie, respekt duke qenë pjesë e ekipit”, tha ajo.
Fjalët e ambasadores nuk erdhën si mesazh vetëm për të rinjtë, por edhe për politikën, aty ku Yuri Kim sheh njerëz të mbushur me urrejtje.
“Në internet, ose për të qenë e sinqertë edhe në politikë dëgjoj ndonjëherë mesazhe urrejtjeje dhe ata duan që ju të urreni dikë tjetër, sepse janë më të pasur se ju ose më të varfër se ju. Ekziston një shprehje shumë e rëndësishme: Urrejtja gërryen enën që e mbanë. Duke mbajtur urrejtje brenda vetes, do të ishte shumë e dëmshme për ju dhe do të shkatërronte vetëbesimin tuaj. Për këtë arsye refuzoni urrejtjen dhe njerëzit që mbartin urrejtje dhe mbusheni veten me shpresë dhe ambicie”, theksoi ambasadorja.
Ambasada mbështeti konferencën kombëtare për shkollën si qendër komunitare. Dhjetëra nxënës të shkollave të ndryshme të vendit nëpërmjet zejtarisë, pikturës dhe artit në tërësi, ekspozuan punimet e tyre. Për të inkurajuar më tepër të rinjtë dhe për të nxitur disiplinën sportive ministrja Arsimit tha se janë alokuar 5 milionë dollarë që në gjithë shkollat e vendit të ngrihen ekipe volejbolli dhe basketbolli. (A2 Televizion)