Ekipi ligjor i Trump: Akuzat për shkarkim, sulm i rrezikshëm ndaj demokracisë

Nga A2 CNN
19 Janar 2020, 12:24 | Bota
Ekipi ligjor i Trump: Akuzat për shkarkim, sulm i rrezikshëm ndaj

Në reagimin e parë zyrtar ndaj ngritjes së akuzave për shkarkimin e presidentit amerikan, ekipi ligjor i Donald Trump, i cilësoi ato si një sulm të rrezikshëm ndaj demokracisë.

Në dokumentin prej 6 faqesh thuhet se akuzat nuk pohojnë ndonjë krimë apo shkelje dhe janë një përpjekje e pacipë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020-të. Ekipi i drejtuar nga këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone dhe avokati personal i Trump Jay Sekulow tha se do të sfidonte “impeachment” si në baza procedurale ashtu edhe kushtetuese, me pretendimin se presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje dhe nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë. 

“Akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve janë një sulm i rrezikshëm ndaj të drejtësisë popullit amerikan për të zgjedhur presidentin e tyre. Janë një përpjekje e pacipë dhe e paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016 për të ndërhyrë në ato të 2020-s”. Avokatët thonë se Trump, mohon kategorikisht dhe pa asnjë mëdyshje të gjitha pretendimet.

Reagimi, erdhi një ditë pasi Trump kompletoi ekipin ligjor, ku përfshihen edhe prokurorë të posaçëm që kanë mbrojtur Bill Clinton gjatë procedurave të shkarkimit.

Gjyqi i tretë për shkarkimin e një presidenti në historinë amerikane pritet të fillojë në 21 janar. Senati është ai që vendos nëse Trump do të shpallet fajtor ose, por republikanët gëzojnë shumicën dhe ka pak gjasë që presidenti të shkarkohet.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos