
Milva Ekonomi, kreu i Komisionit të Ekonomisë, në një lidhje direkte me “A2 Business Week”, u shpreh se “ka nisur dialogu mes biznesit dhe qeverisë”.
“Koronavirusi i gjeti të gjitha vendet e botës të papërgatitura. Prioritar ishte sigurimi i jetës dhe u vunë masat kufizuese, duke këputur zinxhirin prodhues. Qeveria mendoi fillimisht për njerëzit në nevojë. Edhe në paketën e dytë njeriu është në qendër të vëmendjes: që të qëndrojë në karantinë, por edhe të ketë një lloj konsumi. Tani, ka nisur dialogu mes biznesit dhe qeverisë. Unë besoj që ka akoma një paketë tjetër. Gjithashtu, po mendohet për uljen e masave kufizuese dhe kjo do të lejojë që disa biznese të nisin të marrin frymë”, theksoi Ekonomi.
Sipas saj, nuk duhet harruar që “Shqipëria erdhi në këtë pandemi pas tërmetit”.
Por, sipas ekspertes së ekonomisë Zana Guxholli, qeveria ende nuk ka nisur të mendojë për ekonominë.
“Paketa e qeverisë është paketë humanitare. Qeveria ende nuk ka nisur të mendojë për ekonominë. Duhet menduar herët, që kostoja ekonomike mos të kthehet edhe më e madhe sesa kostoja e shëndetit. Qeveria duhet të mendojë makro dhe për fatin e biznesit. Ekonomia dhe biznesi kanë një muaj që presin paketën. Duhet urgjentisht një paketë serioze drejtuar biznesit. Qeveria po bën sikur po bën bisedë me biznesin, por biznesi po ngre zërin dhe po thotë që nuk po dëgjohemi. Qeveria duhet ta konsiderojë partner biznesin. Duhet përçuar mbështetje ekonomike te biznesi, siç po bëjnë vendet e tjera. Qeveria po e shikon biznesin si armik”, u shpreh Guxholli. (A2 Televizion)