Ekonomi: Rasti Kajmaku tregon që institucionet në Shqipëri funksionojnë

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2019, 13:45 | Politikë
Ekonomi: Rasti Kajmaku tregon që institucionet në Shqipëri

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, deklaroi në studion e Ditari në A2 se rasti i kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku tregon se “institucionet në Shqipëri funksionojnë dhe nuk ka ndërhyrje politike në to”.

“Shteti i së drejtës, me shumë përpjekje, po zë vend në Shqipëri”, theksoi Ekonomi.

“KQZ po bën detyrën për aq sa i takon, edhe prokuroria bën të njëjtën gjë. Komunikimet mes institucioneve janë shumë të shëndetshme dhe askush nga politika nuk merr më në mbrojtje figurat politike që nuk kanë pasur sjellje të mirë. Subjekti politik duhet të bëjë atë që bëri: të mos ndërhyjë kur institucionet bëjnë detyrën e tyre”, shpjegoi deputetja socialiste.

Ekonomi shtoi se “kur garon si individ, nën një logo, përgjegjësia është e jotja nëse ke plotësuar formularin e dekriminalizimit”.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Ekonomi deklaroi: “Dora është e shtrirë për opozitën. Tani duhet të ulen në tryezë për Reformën Zgjedhore dhe të thonë mendimin e tyre. Kanë një shans ku duhet të flasin si duan Reformën Zgjedhore. Në atë tryezë kanë ekspertë nga OSBE dhe mund t’i japin zë rekomandimeve të tyre. Nuk duhet të këmbëngulin kaq fort, por të ulen e të diskutojnë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos