
Mijëra familje në vendin tonë po jetojnë me paratë e emigrantëve ose ndryshe remitancat, një dukuri që shoqëron Shqipërinë prej mëse tri dekadash tashmë. Madje, përballë krizës së ndjeshme të çmimeve, remitancat kanë arritur nivelet rekord, duke qenë një ndër financueset kryesore të konsumit dhe ekonomisë. Rekordi i dërgesave të emigrantëve dëshmon për riaktivizimin e një vale të re emigrimi dhe rrjedhimisht pakësimin e popullsisë shqiptare, me boshatisjen e disa qyteteve të vogla.
Por a është e varur ekonomia e Shqipërisë nga remitancat? Kjo pyetje ngjalli debate në A2 Business. Alban Xhelili, deputet i PS, anëtar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, u shpreh se është e gabuar të mendosh se ekonomia shqiptare është e varur nga remitancat. “Ne jemi një ekonomi e brishtë dhe remitancat kanë efekte pozitive. Ne patëm ngërç ekonomik në vitin 2008 për shkak të krizës dhe rënies së remitancave. Nëse mendoni se ekonomia shqiptare është totalisht e varur nga remitancat, është e gabuar. Remitancat janë një kontribuues si shumë elementë të tjerë të ekonomisë. Varësia është gjë tjetër dhe elementët përbërës që ndikojnë në ekonomi është gjë tjetër. Nëse nuk do të kishim remitancat, atëherë do të kishim diçka tjetër”.
Por ndryshe mendon eksperti i ekonomisë Klodian Muço. “Sigurisht që kemi varësi. 26 përqind e familjeve shqiptare jetojnë me remitanca, një në katër familje. Studimi i Bankës Botërore tregon se mesatarisht një familje shqiptare merr 2 mijë euro në vit vetëm nga remitancat”. (A2 Televizion)