Nis në fundjavë bursa shqiptare e energjisë, anëtarësohen tri kompanitë e para

Nga A2 CNN
29 Mars 2023, 18:04 | Ekonomi
Nis në fundjavë bursa shqiptare e energjisë,

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka regjistruar tre kompanitë e para, teksa brenda 31 marsit pritet të jetë gati për të nisur edhe aktivitetin.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, i cili është edhe aksioneri kryesor në bursë, është anëtari i parë zyrtar i ALPEX. Ndërsa pas tij janë regjistruar zyrtarisht gjatë kësaj jave dy shoqëritë, pjesë e grupit të OSHEE, Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal.

Tanimë pritet edhe anëtarësimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, që ka plotësuar dokumentacionin dhe përfundon anëtarësimin e kompanive publike të sektorit të energjisë elektrike.

Këto shoqëri do të mundësojnë ofertimin e volumeve për të blerë dhe shitur energji. Kjo i hap rrugë kryerjes së ankandit të parë të ditës në avancë, i cili do të prodhojë 24 çmime për 24 orë të ditës.

Çelja dhe operimi i bursës shqiptare të energjisë është hapi i pritur në reformën e sektorit, që pritet të ndikojë në uljen e kostove të sigurimit të energjisë, përmes kohës së shpejtë, konkurrencës dhe transparencës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos