Ekonomia po “merr frymë”, rriten të ardhurat në 3 muajt e parë të 2022, shpenzimet bien lehtë

Nga A2 CNN
15 Prill 2022, 15:10 | Ekonomi

Me gjithë pasojat e luftës në Ukrainë, kombinuar me krizën energjetike në vend, ekonomia pati ecuri pozitive në 3 muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat në buxhet në harkun e muajve janar-mars arritën në 139.2 miliard lekë, shifër kjo 27.4 për qind më e lartë se ajo e shënuar në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë.

Ndërkohë, qeveria është treguar më e kujdesshme te shpenzimet. Të dhënat e “financave” tregojnë se shpenzimet e përgjithshme ishin 115.7 miliard lekë nga pak më shumë se 117 miliard në harkun e muajve janar-mars të vitit 2021.

Të ardhurat në masë të kënaqshme dhe shpenzimet me kursim bënë që bilanci i ekonomisë së vendit në 3 muajt e parë të vitit të mbyllej pozitivisht me 23.5 miliardë lekë.

Në performancën pozitive të ekonomisë në 3-mujorin e parë të vitit, ndikim ka pasur edhe rritja e çmimeve. Qeveria arriti të grumbullonte më shumë para, si pasojë e tatimit mbi vlerën e shtuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos