Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka tronditur të dielën në mbrëmje fshatin Vërdovë, në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50, kur në oborrin e banesës private të ish-inspektorit të pyjeve, Arben Xhukellari, ka ndodhur shpërthimi.
Nga forca e tij janë shkaktuar dëme në portën hyrëse të banesës, thyerje xhamash dhe dëme të tjera materiale. Të terrorizuar, familjarët dhe fqinjët kanë dalë jashtë, ndërkohë që në banesën e inspektorit ka qenë edhe vajza e tij minorene.
Nga komunikimi që A2 CNN ka pasur me Arben Xhukellarin dhe nga deklarimet që ai ka dhënë në polici, rezulton të mos ketë konflikte me persona të tjerë, ashtu si nuk e kishte idenë se kush mund t’ia ketë hedhur lëndën plasëse.
Avni Xhukellari, fqinj dhe i afërm me shënjestrën e këtij sulmi, thotë se ata janë pa probleme në fshat.
Policia ka mbërritur në vendngjarje, duke nisur hetimet, si dhe ka sekuestruar kamerat e të gjitha rrugëve përreth.
Pista e parë që po hetohet nga policia është për shkak të detyrës që Arbeni kam mbajtur si inspektor i pyjores në Pogradec. Ai u arrestua disa muaj më parë për shpërdorim të detyrës, pasi, sipas hetimeve, kishte lejuar aktivitetin e paligjshëm të disa subjekteve për prerje pyjesh, ndërsa prej 9 muajsh është me masën arrest në shtëpi. (A2 Televizion)