
Firmosja e marrëveshjes për eksportin e produkteve blegtorale, mes tre ministrive të bujqësisë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, do t’i mundësojë për herë të parë Shqipërisë shitje në rajon.
Ndikuar nga mungesa e lëndës së parë, por edhe të standardeve të kërkuara nga BE-ja, produktet shtazore deri tani kanë gjetur rrugën e tregtisë vetëm për konsum të brendshëm.
Për ekspertët, nisma është pozitive, por fermeri shqiptar mund të ndeshet me një bllokim të tregut nga importi. Ilir Pilku shprehet: “Shqipëria ka një ulje 12,2% në blegtori, nuk na favorizon, ne nuk eksportojmë. Jemi defiçitar në mbarështimin e derrit me 60%, gjedhit, si dhe qumështit me 37%, që e zë importi. Marrëveshjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të përfshijnë shumë fusha të bujqësisë dhe blegtorisë, që mos t’i kemi të copëzuara”.
Megjithatë, ka një tjetër anë medaljeje dhe ajo është hapja e tregjeve për t’i dhënë më tepër hapësirë fermerit shqiptar. Shkëlzen Marku thotë: “Prodhuesit në Shqipëri, në një farë mënyre, janë të dekurajuar, edhe për arsye të mungesës në treg. Atëherë, a mund ta zgjerojmë këtë treg brenda Ballkanit? Unë them se po. Nëse duam të rrisim prodhimin shqiptar dhe t’u japim akses më shumë fermerëve shqiptarë në tregje më të mëdha, një mundësi është hapja e tregut. Nga ana tjetër, ne importojmë mish nga Brazili dhe Argjentina, nuk mendoj se mishi i Brazilit është më i lirë se ai i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
Për të garantuar konkurrencë të ndershme, ekspertët sugjerojnë që subvencionet në bujqësi të jenë të barabarta ose të përafërta me vendet e “Ballkanit të Hapur”, në të kundërt kriza ekonomike do të thellohet edhe më tepër për fermerin shqiptar. (A2 Televizion)