
Në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare kryeministria sjell për herë të parë në sytë e publikut një ekspozitë të librave të rrallë. Në fjalën e tij kryeministri Rama e cilësoi këtë një dëshmi të rrallë të një historie të gjatë që kalon shumë shekuj dhe mishërohet në libra, përveçse një emocion të jashtëzakonshëm.
“Kremtimi i këtij 100-vjetori është një emocion i jashtëzakonshëm. Koha e keqe në të cilën ky 100-vjetor ndodh, na detyron të jemi shumë kopracë në këtë kremtim në aspektin e hapësirave të pjesëmarrjes e projektimit të një kalendari ashtu siç do të duhet të ishte. Zgjedhja e bërë me këtë ekspozitë është një dëshmi e rrallë, faktike, e prekshme e një historie të gjatë që kalon shumë shekuj dhe mishërohet në libra, në tekste, objekte që janë ruajtur në thellësitë e organizmit të Bibliotekës Kombëtare. Shpresoj shumë që miqtë e apasionuar të librit të mund ta vizitojnë, përjetojnë këtë emocion të veçantë”.
Duke folur për projektin e godinës së Bibliotekës së re, i lënë përgjysmë për shkak të tërmetit të një viti më parë, Rama premtoi se ky projekt do të realizohet një ditë, por nuk dha asnjë afat kohor.
“Do të kishte qenë vërtet shumë më bukur të kishim mundësi që këtë 100-vjetor ta kremtonim në godinën e re të Bibliotekës Kombëtare, por fatkeqësisht projekti i nisur me shumë dëshirë dhe i futur në procesin e formësimit të tij, mbase gaboj, por edhe pse me maskë, duhet të jetë Persida ajo që shoh në krahun tim të djathtë, kemi punuar sistematikisht për ta futur në rrugë projektin që u desh të ndalej nga tërmeti, edhe sot pasi rrënojat e tërmetit duhen kthyer në shtëpi e apartamente. Pastaj iu mbivendos edhe goditja e rëndë financiare e të gjithëve për shkak të covid. Megjithatë, projekti e ka nisur rrugën e tij, kam besim se do të shkojë deri në fund, nuk e them dot se kur, por jo aq gjatë sa ka shkuar deri më sot”.
Sipas tij, është bërë shumë punë për të ndaluar degradimin e Bibliotekës Kombëtare dhe ajo që ka qenë shumë e rëndësishme ka qenë digjitalizimi i një pasurie kaq të madhe.
“Pavarësisht se nuk kemi arritur të ndërtojmë godinën e re të bibliotekës nuk është bërë pak për të ndryshuar një rrjedhë degraduese dhe rrënimi të atij thesari të madh. Për fat të mirë na është dhënë mundësia që në krye të bibliotekës të kemi drejtorë që janë të lidhur me librin dhe fatin e librit dhe pa diskutim që me Persidën kemi hedhur hapa të rëndësishëm në ndalimin e procesit të degradimit të elementeve përbërëse të Bibliotekës Kombëtare dhe me Piron që e pranoi sfidën e drejtimit të bibliotekës në një moment kur ishte duke bërë librat e tij. Ajo që kemi si infrastrukturë dhe me fondin e hapur do hedhim një tjetër hap në këtë drejtim.
Përtej aspektit fizik të gjendjes së librave, ajo që ka qenë shumë e rëndësishme ka qenë digjitalizimi i një pasurie kaq të madhe dhe mundësia për ta aksesuar këtë pasuri në një mënyrë krejt tjetër. Sigurisht që do të ishte fantastike sikur të mundim të realizonim, ose do ndodhë në pjesën tjetër të vitit atë konferencë të madhe që do vinte pikat mbi "i" në raport me respektin dhe detyrimin që u kemi atyre, pa të cilët nuk do kishte ekzistuar Biblioteka Kombëtare”. (A2 Televizion)