
Heqja e gjobës prej 10 mijë lekësh të reja për kë nuk ka deklaruar transferimin e vendbanimit, sipas opozitës në Parlament, fsheh llogaritje elektorale të mazhorancës socialiste.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i lexon këto akuza si alibi të pakicës për të justifikuar rezultatin e ardhshëm elektoral.
“Heqja e penalitetit, për të motivuar ata të deklarojnë vendbanimet meqë gjoba nuk e bëri”, u shpreh ministri.
Ralf Gjoni tha se ka marrë ankesa nga shumë qytetarë, të cilëve u është ndryshuar adresa pa dijeninë e tyre. Por, Lleshaj e sfidoi që të denonconte me një rast konkret.
Denoncimin gati e kishte deputeti Adriatik Alimadhi, me anëtarë të familjes së tij: “Nipin tim me nusen dhe kalamajtë e kanë lëvizur nga 4 te 9. Tani, njësia 9 i thotë ço kërkesën që të rrish te 4. Mos e tund kokën se e kam verifikuar vetë. Kush i lëvizi ata?”
Lleshaj u përgjigj: “Ju siguroj se duart e mia nuk futen në asnjë vend ku nuk duhet. Mund të ketë lëvizur adresa e vendbanimit, por jo e vendvotimit”.
Lleshaj njoftoi se Ministria e Brendshme do të sjellë shpejt një paketë të plotë, ku deklarimi i vendbanimit do të kushtëzohet me marrjen e shërbimeve bazë si ato shëndetësore dhe arsimore. (A2 Televizion)