
Dy ditë nga vrasja e Bardhok Planajt në Dobraç të Shkodrës, prokuroria ka sekuestruar kamerat e spitalit rajonal aty ku 47-vjecari vizitoi nënën e tij të sëmurë.
Hetuesit dyshojnë se 50 minuta para se të ekzekutohej një grup vëzhgonte lëvizjet e tij në spital ku Planaj shoqërohej nga bashkëshortja.
Sa i përket pistave të mundshme të vrasjes së tij, prokuroria mendon se eliminimi është bërë si pasojë e konflikteve mes grupeve kriminale në Shkodër. Këtu hetuesit i janë rikthyer një ngjarjeje kriminale në qytetin e Shkodrës, të ndodhur në vitin 2019, ndërsa Bardhok Planaj dyshohet se ka favorizuar vrasësin duke e strehuar apo dhe dhënë ndihmë për t’iu shmangur kapjes së policisë.
Pasi u kthye në shtëpi dhe la bashkëshorten 47-vjeçari doli sërish ndërsa nga një distancë prej 50 metrash nga makina e tij u qëllua me breshëri kallashnikovi.
Në vendngjarje policia sekuestroi 79 gëzhoja, ndërsa automjeti i atentatorëve u gjet jo shumë larg vendit të ngjarjes duke u djegur së bashku me armët.
Në trupin e “Kumbarit” u gjetën dhe dy celularë njëri prej të cilëve i dëmtuar ndërsa tjetri në gjendje pune por që u dërgua në laboratorin kriminalistik në Tiranë. (A2 Televizion)