
Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga një person i cili dyshohet se është autori i vrasjes së 47-vjeçarit Prek Tonaj mbrëmjen e së dielës në fshatin Grudë e Re, në Shkodër.
Policia bën të ditur se bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas orës 19:00 të së dielës, ku Prek Tonaj u ekzekutua me kallashnikov nga një person i maskuar brenda një lokali. Plumbat e shumtë që kapën shënjestrën e këtij atentati, i shkaktuan Tonajt vdekjen e menjëhershme. (A2 Televizion)