Atentati në Shkodër, ekzekutimi i 47-vjeçarit dyshohet për gjakmarrje

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2022, 10:12 | Kronikë
Atentati në Shkodër, ekzekutimi i 47-vjeçarit dyshohet për

Një tjetër atentat i dyshuar për motive gjakmarrjeje ka tronditur Shkodrën, mbrëmjen e së dielës. Viktimë e këtij atentati ka mbetur 47-vjeçari Prekë Tonaj, punonjës i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një lokal në fshatin Grudë. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, një person i maskuar është afruar pranë lokalit ku qëndronte viktima dhe pasi ky i fundit ka dalë, ka hapur zjarr me armë automatike. Plumbat e shumtë që kapën shënjestrën e këtij atentati, i shkaktuan Tonajt vdekjen e menjëhershme.

Ndërkohë, autori i këtij krimi ka mundur të largohet me shpejtësi. Forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje nisën menjëherë punën për kapjen e autorit, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë mbi identitetin e tij.

https://a2news.com/2022/02/13/vrasje-me-arme-zjarri-ne-shkoder-2/

Sakaq, mësohet se Tonaj është një person i njohur për Policinë e Shkodrës, pasi 11 vite më parë ka qenë i proceduar bashkë me dy persona të tjerë, si të dyshuar se kishin planifikuar një vrasje. Ndërsa më herët, viktimës i kanë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë.

Nisur nga e kaluara e 47-vjeçarit, grupi hetimor dyshon se edhe kjo ngjarje mund të ketë si motiv gjakmarrjen, por ende nuk ka një pistë zyrtare për autorin dhe as për motivet e këtij atentati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos