Pesë orët e terrorit në lagjen “11 nëntori” të Elbasanit përfunduan në orën 18.00 të pasdites, kur RENEA ekzekutoi 71-vjeçarin Lefter Zhidru.
Ai u rezistoi njësive të policisë, ndaj të cilave qëllonte vazhdimisht me kallashnikov. RENEA e qëlloi Zhidrun, pasi ai nuk bindej të dorëzohej, ndërsa më herët kishte hyrë në banesën e ish-bashkëshortes së tij Floresha Zhidru dhe të vajzës 14-vjeçare.
Problemet familjare dhe divorci mendohet të jenë shkaqet e sherrit të 71-vjeçarit me ish-bashkëshorten, ndërsa kjo e fundit lajmëroi Policinë që në momentet e para. Sapo patrullat “Shqiponja” dhe efektivët e Policisë lokale mbërritën në vendngjarje, Zhidru nisi të qëllonte me armë zjarri dhe nga të shtënat u plagosën 2 kalimtarë, 21 dhe 22 vjeç. Nënë e bijë arritën të evakuoheshin nga banesa, ndërsa përgjatë orëve të negociatave, e bija i ka bërë thirrje të atit që të dorëzohej.
Në njoftimin zyrtar Policia thotë se në momentet e fundit, kur ndodheshin tek dera e banesës, efektivët e RENEA-s, i bënë thirrjen e fundit që të dorëzohej, por ai vazhdonte të qëllonte, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Kjo ngjarje përfundoi me vrasjen e 71-vjeçarit dhe plagosjen e 2 të rinjve kalimtarë, ndërsa asnjë nga efektivët e Policisë nuk u lëndua. Në banesë u sekuestrua kallashnikovi, një sasi municioni dhe disa kallëpe tritoli, gati për shpërthim.
(A2 Televizion)