
Policia ka arrestuar dy persona të cilëve iu janë gjetur në banesë armë, municione luftarake dhe lëndë narkotike. Dy të arrestuarit janë nga fshati Dëshiran në Belsh, dhe ndaj tyre rëndojnë akuzat “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe Shitja e narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Hetimi për këtë procedim penal është ndjekur në bashkëpunim shërbimet e policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Cërrik në DVP Elbasan. Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas regjistrimit të procedimit penal, kanë filluar hetimet pro-aktive duke aplikuar metodat special të hetimit. Konkretisht me vendimin nr.807, datë 12.10.2022 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan është kërkuar dhe lejuar përgjimi telefonik i disa numrave. Ndërsa me vendimin nr.801, datë 11.10.2022 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan është lejuar kontrolli i banesave dhe të çdo ambienti tjetër të lidhur apo ndihmës me to, si dhe të automjeteve të ndodhura në këto banesa.
Autoritetet kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit V.D., me adresë banesë private fshatit Dëshiran në NJA Grekan në Bashkinë Belsh dhe banesa e shtetasit A.B., me adresë banesë private fshatit Dëshiran në NJA Grekan, në Bashkinë Belsh.
Për ekzekutimin e këtij vendimi nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, janë ngarkuar shërbimet e policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Cërrik dhe DVP Elbasan.
“Më datë 13.10.2022, ora 07.00 e në vijim, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit A.B, ndodhur në fshatin Dëshiran të Belshit. Nga kontrolli në këtë banesë, rezulton se janë gjetur dhe sekuestruar këto sende të cilësinë e provës materiale:
- Një armë zjarri e llojit pistoletë TT, model 54 me një krehër me 8 fishekë, 539 copë fishekë mod.54, kal.7.62 mm;
- Një armë zjarri luftarake mol.56 dhe kal.7.62 mm, 5 krehër hark metalik nga të cilët 4 të mbushur me fishekë mod.56 dhe kal.7.62 mm;
- 2835 copë fishekë mod.56 dhe ka.7.62 mm, 9 copë fishekë armë zjarri mod.53, kal.7.62 mm;
- 2 granata dore mësymëse;
- 2 ndezëse të unifikuar;
- 3 granata dore të tipit mbrojtëse me ndezëse dhe unifikuar dhe një granatë dorë mbrojtëse me tapë ebaniti;
- Një qese plastike me material bimor të thatë të ngjashëm për nga era dhe karakteristikat fizike me lëndën narkotike të llojit cannabis sattiva me peshë totale 3.6 kg, një sasi bimësh të thata me kërcell dhe boçe të ngjashme me bimën narkotike të llojit opium me peshë totale 1.4 kg;
- 2 aparate telefonik celular, 10 copë fishekë armë gjahu kal.12 mm dhe një sasi e konsiderueshme të hollash prej 54.000 lekë, 260.000 lekë, 1.056.000 lekë, 2.170.000 lekë, 220.000 lekë, 980 pound britanik, 4020 pound britanik, 7.250 euro, 1700 euro.
Më datë 13.10.2022, ora 08.25 e në vijim është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit V.D, ndodhur në fshatin Dëshiran të Belshit. Nga kontrolli në këtë banesë rezulton se janë gjetur dhe sekuestruar këto sende të cilësinë e provës materiale:
- Një armë gjahu kal.12 mm, një gjerdan me 30 fishek kal.12 mm, si dhe dy kuti me nga 6 dhe 19 fishekë kal.12 mm si dhe një aparat telefonik. (A2 Televizion)