Shtatë persona të tjerë kanë përfunduar në burg dhe 5 janë në kërkim në kuadër të operacionit “Qarku”, që ka goditur trafikun e lëndëve narkotike në zonën e Shkodrës.
Katër shtetasit e parë, S. G., 43 vjeçe, E. P., 19 vjeç, E. P., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër dhe M. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë të Malësisë e Madhe, në momentin e arrestimit në flagrancë ndodheshin në një lokal në lagjen “Fahri Ramamdani” të Shkodrës.
Atyre iu është kapur një sasi kanabisi dhe kokaine e gatshme për t’u tregtuar. Në çantën e shtetases e arrestuar u gjet edhe një pistoletë si dhe municioni përkatës.
Në një goditje paralele, forcat e rendit kanë arrestuar edhe shtetasit E. G., 22 vjeç, L. P., 23 vjeç dhe K. F. 30 vjeç, të tre banues në Shkodër, të cilët u kapën në aksin rrugor “Koman-Vau i Dejës”, teksa transportonin rreth 15 kilogramë kanabis.
Në të njëjtin operacion, u shpallën në kërkim shtetasit K. P., 24 vjeç dhe V. P., 20 vjeç, pasi rezultuan të përfshirë në veprimtaritë kriminale.
Në kërkim rezulton edhe shtetasi P.S nga Gruemira, pasi në tokat e tij u gjet një sasi kanabis në proces tharje, si dhe vëllezërit P. A., 31 vjeç dhe D. A., 32 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, sërish po për të njëjtat akuza. (A2 Televizion)