“Babalja” në Apel. Dështon seanca, Salianji: Çështja doli shpejt, të përfundojë shpejt

Nga A2 CNN
17 Tetor 2022, 11:34 | Kronikë
“Babalja” në Apel. Dështon seanca, Salianji:

Për të tretën herë radhazi, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, mbërriti në Apelin e Tiranës për të kundërshtuar dënimin me 1 vit burg, marrë në shkallën e parë si i pandehur i të ashtuquajturës dosja “Babalja”.

Por, po për të tretën herë radhazi, gjykata shtyu gjykimin në një datë tjetër. Seanca e së hënës dështoi për shkak të mosparaqitjes së avokatit të Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili është palë e dëmtuar në këtë proces. 

“Edhe sot u gjet një arsye nga ai që është bërë sebepi i akuzës, për ta shtyrë përsëri seancën gjyqësore”, tha Salianji.

Deputeti mbërriti në gjykatë me simbolikën që gjithë demokratët po e kërkojnë, por nuk po e realizojnë. Kolegë demokratë të grupimit të Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës e pritën në oborr dhe në sallën e gjyqit, ndërsa vetë Salianji nga ana e tij kërkon vendim të shpejtë. Zvarritja e bën të dyshojë për ndikim politik në gjyqin ndaj tij: “Kjo çështje e nxjerrë me shpejtësi përpara kohe, duhet të përfundonte me shpejtësi. Dyshimet e mia janë që çështja ka dalë për të mos pasur një rishortim ashtu si duhet të ndodhte për shkak të ngarkesës që kanë pasur gjyqtarët. Pjesëmarrja e deputetëve të opozitës në seancën gjyqësore, ashtu si kemi bërë në çdo seancë, ku duket se ka haptazi padrejtësi apo përdorim politik të drejtësisë, është inkurajim për drejtësinë”.

Seanca e radhës e dosjes “Babalja” në Apel do të zhvillohet në 9 nëntor. Të pandehurit në këtë dosje, Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi u fajësuan nga Shkalla e Parë e Tiranës në dhjetor 2019 për “kallëzim të rremë”. Sipas gjykatës, ata inskenuan një audio-përgjim, ku pretendojnë se Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj, diskutonte për çështje droge.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos