
Kukësi, Elbasani dhe Dibra janë qarqet me aktivitetin më të dobët ekonomik të vendit.
Sipas të dhënave të INSTAT, këto zona regjistrojnë nivelin më të ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, që varion nga 327 mijë deri në 389 mijë lekë. Këto shifra janë ndjeshëm nën mesataren e vendit me 540 mijë lekë për frymë.
Kjo shpërndarje e dobët e peshës së ekonomisë tek këto tre qarqe përkthehet në më pak investime, më pak vende pune, më pak fuqi blerëse, e rrjedhimisht më shumë varfëri. Kjo mbështetet edhe nga shifrat e tjera të INSTAT, si numri i familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike, ku Elbasani, Dibra dhe Kukësi kanë numrin më të lartë të përfituesve.
Nga ana tjetër, duket se ekonomia po peshon gjithmonë e më shumë në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Fier. Ndërsa Vlora, që duhet të ishte ndër përfituesit kryesorë nga rritja e turizmit, në vitin 2017 pësoi një tkurrje ekonomike me 3.26%. (A2 Televizion)