
Elon Musk thotë se shanset që ai të transferohet personalisht në planetin Mars janë 70% edhe pse me shumë gjasa ai do të vdiste atje. CEO i SpaceX pretendon se njerëzit do të mund të udhëtojnë për në planetin e kuq brenda 7 viteve dhe biletat do të kushtojnë rreth 200 000 dollarë për person.
Në një intervistë të transmetuar në rrjetin amerikan HBO, Musk shtoi se udhëtimet do të realizohen përmes anijes kozmike të ndërtuar prej tij, Starship. “E di mjaft mirë se çfarë duhet të bëj, e kam fjalën do të transferohem atje. Mendojmë se mund të kthehemi mbrapsht, por nuk jemi të sigurt”, tha Musk.
“Shumë njerëz ngjiten në male. Gjithmonë ka njerëz që humbin jetën në Malin Everest, por u pëlqen ajo që bëjnë sepse është sfidë. E di që do të jetë e vështirë, ka mundësi të mira që të vdesim, sepse do të udhëtojmë në hapësirë brenda një kanoçeje të vogël”.

Starship, anija kozmike me të cilën Musk pretendon të shkojë në Mars është e gjatë 118 metra dhe shpikësi amerikan mendon të nisë testimet në fund të vitit të ardhshëm, me synimin që në të ardhmen të realizojë udhëtime hapësinore në hënë, Mars dhe më tej.
Në fillim të muajit, NASA njoftoi se do të realizonte një inspektim të anijes së SpaceX për të konfirmuar kushtet e sigurisë para se të nisin testimet e përbashkëta. (A2 Televizion)