
Gardhi i hekurt i Hungarisë përgjatë kufirit me Serbinë, i ndërtuar për të ndaluar kalimet kufitare në krizën migratore të vitit 2015, është një simbol i fuqishëm i politikave anti-emigracion i këtij vendi. Ishte dhe skena e një takim miqësor më herët këtë muaj mes kryeministrit Viktor Orban dhe ministrit të brendshëm italian, Matteo Salvini, të dy me thuajse politika të njëjta.
Për shkak të deklaratave të tyre, hungarezët shprehen të frikësuar nga mbërritja e emigrantëve. “Nëse ata vijnë këtu, do të jetë fundi për ne. Do të bëhemi skllevër në shtetin tonë”, thotë një banore.
Orban dhe partia e tij FIDESZ e shndërruan retorikën anti-emigracion dhe anti-Bruksel në themel të politikës së tyre, e cila është mbështetur fuqishëm në zonat rurale. Posterat e fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian mbajnë këtë slogan: “Ne i themi Brukselit: emigracioni duhet të ndalohet”.
“Ne dëshirojmë një Europë të Krishterë. Duam të vazhdojmë atë kulturë që paraardhësit ruajtën për 1 mijë vite”, thotë një tjetër banor. “Nuk dua që të huajt të vijnë këtu, nuk më pëlqen emigracioni, nuk dua që ata të jetojnë këtu. Dëshiroj të jetoj në paqe në këtë vend europian”, shton një tjetër.
Ndërkohë, opozita është kundër këtyre politikave dhe akuzon qeverinë e Orban se përdorë emigracionin për të fituar pikë. Ata përqendrohen më shumë tek çështje si ndryshimet klimatike dhe standardi i jetesës në Hungari. (A2 Televizion)