
Zhvillohen sot në pesë bashki të vendit zgjedhjet e pjesshme lokale. Në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat qytetarët janë thirrur sot për të zgjedhur drejtuesit e rinj të bashkive të tyre. Edhe pse bëhet fjalë për nivel lokal, pesha e tyre ka një rëndësi kombëtare, sepse këto zgjedhje, më shumë se një proces për të plotësuar boshllëqe në drejtimin vendor, janë një provë e drejtpërdrejtë për besimin e qytetarëve tek institucioni i votës dhe për seriozitetin e klasës politike në respektimin e standardeve demokratike.
Ky proces vjen fill pas publikimit të raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian, ku në të dy dokumentet pasqyrohej një situatë e zymtë sa i takon standardeve të zgjedhjeve, duke ngritur shqetësimin se partia në pushtet ka abuzuar me administratën publike në shërbim të interesave partiake.
Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ky është një test tjetër për organizimin dhe administrimin korrekt të procesit. Por sfida më e madhe i takon vetë qytetarëve – pjesëmarrja e tyre do të tregojë nëse vota mbetet ende instrumenti qe garanton të drejtën e zgjedhjes, pa ndikim dhe trysni apo fati i saj do të jetë i paracaktuar.
Zgjedhjet e pjesshme ne 5 bashkitë e vendit kanë një emërues të përbashkët, atë të dorëheqjeve të ish-kryetarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, një pjesë për mandatin e deputetit e për post ministror. Por sfidat me të cilat përballën banorët e këtyre 5 bashkive nuk janë të njëjta. Sa do ti plotësojnë kërkesat e tyre këto zgjedhje, kush janë kandidatët që garojnë për postin e kryebashkiakut, cilat janë platformat e tyre, çfarë premtojmë për komunitetin dhe sa të realizueshme janë ato?
Këto përgjigje dhe të gjitha zhvillimet e kësaj ditë do të përcillen në kohë reale në një transmetim maratonë të A2 CNN nga gazetarët Belinda Ruçaj, Armend Pire, Rigels Malile, Anesti Barjamemaj dhe Edi Ruçi.
Ndërkohë që zgjedhje lokale ka sot dhe Kosova, ku zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, ku gazetari i A2 CNN Ideal Gola do të na përcjellë zhvillimet. (A2 Televizion)
