
Ëndrra e Arsenalit drejt titullit kampion në Angli do të kalojë nga derbi me rivalët e mëdhenj të Chelsea. Topçinjtë kanë përjetuar një formë të dobët në katër ndeshjet e fundit, ku me tre barazime dhe disfatën përballë rivalëve të Manchester City, humbën edhe kreun e renditjes.
Kjo situatë ka ndikuar që kuotat e skuadrës së Arteta-s në garën për titull të bien në mënyrë të dukshme. Sipas llogarive të thjeshta, Arsenali duhet të marrë pikët e plota në javët e mbetura të kampionatit, ndërsa “sitizëns” duhet të humbasin të paktën 4 pikë.
Pavarësisht rënies së formës, londinezët do të besojnë deri në fund, për aq kohë sa matematika ua lejon. Ringritja synohet prej derbit me Chelsea, një rival përballë të cilit kanë ecuri mjaft të mirë. Topçinjtë nuk kanë humbur asnjë nga ndeshjet e luajtura në mesjavë përballë bluve, duke regjistruar katër fitore dhe 6 barazime.
Ekipi i drejtuar nga Frank Lampard mund të bëhet i rrezikshëm, sepse kërkon fitoren e parë, pas zhgënjimeve në pesë ndeshjet kur ish-mesfushori është emëruar si trajner i përkohshëm. Në atë që është ecuria më e dobët e Chelsea në 30 vitet e fundit dhe me rrezikun që ta mbyllë sezonin me 20 humbje në ndeshjet zyrtare, derbi me Arsenalin mund të shërbejë si një pikë kthese.
Investimi prej afro 600 milionë euro në merkato nuk ka shërbyer në terma afat-shkurtër, me ekipin që rrezikon ta mbyllë kampionatin në gjysmën e dytë të renditjes, për herë të parë prej vitit 1996. (A2 Televizion)