Siguria pretendoi se iu kishte marrë edhe çakmakët e monedhat e hekurit para se të futeshin në stadium, por një tifoz është shfaqur me motosharrë në ndeshjen çerekfinale të Champions League në Afrikë mes Esperance Sportive de Tunis dhe JS Kabylie.
Në fundin e pjesës së parë nisën trazirat mes tifozëve. Disa prej tyre ndezën një zjarr të madh në stadium, ndërsa momenti më i tmerrshëm ishte kur njëri prej tifozëve është shfaqur me një motosharrë të ndezur në dorë.
Autoritet vendase raportuan se ultrasit e ekipit vendas arritën të futen në një magazinë ku mbaheshin mjete pune brenda stadiumit. Policia është vënë në kërkim të tifozëve që krijuan këtë situatë në stadium.
Në fund, Esperance Sportive de Tunis mundi kundërshtarët nga Algjeria me rezultatin 2-1 dhe kaloi në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me egjiptianët e Al Ahly. ES Tunis ka fituar katër herë Champions League në Afrikë. (A2 Televizion)