Futbolli është një lojë kapriçoze, ku jo gjithnjë fiton skuadra që luan më mirë. Shqipëria e fali Turqinë, me Manajn që luajti me pasime me portierin kundërshtar ndërsa një gafë e Strakoshës në sekondat e fundit na goditi shumë rëndë. Një gol i rëndë në një ndeshje të luajtur shumë mirë, madje duke na rikthyer emocione që nuk i përjetonim që nga vera e vitit 2016.
Edi Reja e kish marrë në duar kuqezinjtë këtë mbrëmje dhe i kish dhënë një fytyrë të re kombëtares: disiplinë taktike, detyra të ndara mirë, grintë dhe shumë muskuj. Shumë kartonë të verdhë, që tegojnë se skuadra është rikthyer të luajë me agresivitet. Trajneri e di se çfarë skadre ka në disozicion tashmë dhe po mundohet që ta vërë atë në lëvizje.
Strakosha - 4. Një gabim i vetëm mund të vendosë për ta bërë hero apo dështim një portier. Në ndeshjen perfekte, në limitet e kohës, Tomas Strakosha e dëmtoi rëndë kombëtaren. Veseli - 7. Rreshtimi në mbrojtje ka qenë pothuaj perfekt. Në pjesën e dytë shpëtoi një gol të sigurt. Mund të kishte bërë më mirë në fazën sulmuese, nëse do të kishte më shumë mbështetje. Ismajli - 6,5. Një futbollist që vjen gjithnjë në rritje. Nuk ka shumë fantazi në lojën e tij, por arrin që të ndjekë me përpikmëri lojën e repartit. Dermaku - 7. Një mbrojtës me shumë personalitet dhe me një staturë të qëndrueshme. Shumë i qetë dhe me përdorim shumë të mirë të topit. Pothuaj asnjë top pa adresë. Djimshiti - 7. Një ndeshje shumë e kujdesshme, me një impostim shumë të mirë në detyrat taktike të trajnerit. Dubloi shkëlqyeshëm krahun e majtë dhe mbajti në presing kundërshtarët. Lenjani - 6. Si asnjëherë më parë tregoi vigjilencë në mbrojtje dhe një pozicionim shumë të mirë. Shumë pak momente pozitive në sulm. Gjasula - 7,5. Mesfushës kuqezi i mungonte një futbollist i këtij niveli. Lexon mirë lojën, agresiv dhe me vizion në lëvzje, duke e spostuar skuadrën si një fizarmonikë në sulm dhe në kthimin në mbrojtje. Memushaj - 7. Pavarësisht egoizmit të tepruar në disa momente, fantazia e tij është gjithnjë e nevojshme për skuadrën. Një pjesë e parë shumë e mirë. Bare - 7. Një gjenerator i mesfushës, që ka energji për të shkelur çdo cep të fushës. Gjithnjë te topi i parë dhe shumë bashkëpunues. Manaj - 5,5. Një futbollist i palodhur, por jo shumë i qartë. Arrin të shkëputet shumë mirë, por i mungon nuhatja e një sulmuesi. Mund të kish mbyllur ndeshjen me rastet e krijuara në 10 minutat e fundit. Cikalleshi - 6,5. Është një futbollist shumë i fortë dhe me shumë grintë. Me fizikun e tij arriti që të mbante në tension mbrojtjen kundërshtare dhe hapi shumë rrugë për Manajn. Reja - 7. Absolutisht më i miri i kësaj ndeshjeje, dukej sikur e kishte parë këtë ndeshje dhe më parë dhe kish ndarë në mënyrë perfekte detyrat për të gjithë. Tani e di se ç’ka në dispozicion dhe po mundohet të ndërtojë një skuadër të re, në mentalitet, lojë dhe objektiva. Roshi - 7. Një futbollist me shumë klas. Aktivizimi i tij ndryshoi krejt ritmin dhe i dha skuadrës mundësinë që të shkonte edhe te goli. Abrashi - 6,5. Shumë agresiv dhe me shumë volum në lojë. Eksperienca e tij është shumë e vlefshme për skuadrën, veçanërisht në situata të tilla.
Mbrojtja ishte rreshtuar në mënyrë perfekte, shumë e kordinuar dhe me një mbulim shumë agresiv. Klasi i Gjasulës në mesfushë i ka dhënë skuadrës një fytyrë të re, ndërsa veprimet e Memushajt dhe Bares, kanë fantazi. Edhe pse krahët nuk shtynë shumë lart, arritën të koordinojnë gjeometri të thella në të tërë hapësirën e fushës. Bare është një gjenerator që shtyn shumë fortë dhe forca e Cikalleshit i dha shumë hapësira Rej Manajt.
Në një 90 minutësh që mund të mbetej një kujtim i jashtëzakonshëm, një gafë e portierit ndëshkon rëndë Shqipërinë për këto eliminatore, por ndoshta ka hapur rrugën për nisjen e një cikli të ri.
Ky është vlerësimi i A2 CNN për të gjithë futbollistët e kombëtares. (A2 Televizion)