
Vatrat e zjarrit të aktivizuara gjatë ditës së sotme në vend vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se po punohet në fshatin Çeprat, njësia administrative Shushicë, ku era e fortë favorizon përhapjen e flakëve.
Po ashtu, vijon puna për shuarjen e flakëve në fshatin Kus pranë Liqenit të Thatë në Tiranë me 20 forca e 4 mjete për izolimin total të flakëve.
Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile u angazhuan gjatë ditës së sotme në aksionin e shuarjes së vatrave të zjarrit në Peshtan, Qafa e Shkozës dhe fshatin Kreshpan në njësinë administrative Cakran, të bashkisë Fier.
Situatë problematike ka edhe në fshatin Buz të bashkisë Memaliaj, ku era vështirëson punën. Bëhet e ditur se 13 efektivë dhe një mjet janë angazhuar në shuarjen e zjarrit në fshatin Skrevan në bashkinë Dimal, vatër e cila u riaktivizua. (A2 Televizion)