
Korridori ujor për “bukën e botës” do të vazhdojë të jetë i lirë dhe i sigurt. Organizata e Kombeve të Bashkuara konfirmoi se Ukraina dhe Rusia u pajtuan që të zgjasnin me 4 muaj respektimin e marrëveshjes për eksportimin e grurit dhe mallrave të tjera përmes Detit të Zi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e konsideroi këtë një lajm të mirë që lehtëson krizën globale ushqimore. Lidhur me këtë zhvillim, reagoi dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, duke falënderuar homologun rus, Vladimir Putin, për vullnetin e mirë dhe kontributin e dhënë në zgjatjen e marrëveshjes për grurin me 120 ditë.
Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se kjo marrëveshje është një lajm i mirë për botën.
Ukraina dhe Rusia, së bashku, janë përgjegjëse për rreth çerekun e eksporteve globale të grurit dhe ujdia e OKB-së luan një rol thelbësor në uljen e çmimeve për atë produkt. (A2 Televizion)