
Beteja për presidencën në Turqi do të vendoset në balotazh. Presidenti Rexhep Taip Erdoan kryeson me 49,51 përqind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën, ndërsa rivali i tij kryesor Kemal Kilicdaroglu e ndjek me gati 45 përqind të votave.
Duke qenë se asnjë prej tyre nuk ka e ka kaluar pragun e 50 përqindëshit, fituesi do të përcaktohet në raundin e dytë që do të zhvillohet më 28 maj, me presidentin aktual që është favorit. Pas 20 vitesh në pushtet, Erdogan doli në ballkonin e selisë së partisë së tij, për të thënë se është bindur qe do të fitojë edhe një mandate të ri 5-vjeçar.
“Kemi tejkaluar tashmë rivalin më të afërt me 2,6 milionë vota. Besoj se shifrat do të rriten edhe më shumë me rezultatet finale”, tha Erdogan.
Shumë sondazhe kishin sugjeruar se opozitari Kemal Kilicdaroglu, i konsideruar si mundësia më e mirë për rrëzimin e Erdogan, ishte në rrugën e duhur për të fituar raundin e parë. Partitë opozitare krijuan një koalicion të madh për t’i dhënë fund, atij që e cilësojnë si sundim autoritar i Erdoganit. Por pavarësisht zhgënjimit, Kilicdaroglu u përpoqe të mbante gjallë shpresat, duke thënë se ishte i bindur në fitoren e tij në balotazh.
“Kandidat i opozitës Pavarësisht fushatës së gënjeshtrave dhe fyerjeve Erdogan nuk i mori rezultatet që priste. Nëse populli vendos për një balotazh, ne me siguri do të fitojmë në raundin e dyte”, u shpreh Kemal Kilicdaroglu.
Zgjedhjet u ndoqën me vëmendje në perëndim, pasi Kilicdaroglu kishte premtuar të rigjallëronte demokracinë turke, e po ashtu marrëdhëniet me NATO. Nga ana tjetër, qeveria me rrënjë Islamike e Erdogan ka akuzuar perëndimin se po komploton për rrëzimin e tij. Zgjedhjet e këtij viti në Turqi u përqendruan kryesisht në çështjet e brendshme si ekonomia, të drejtat civile dhe tërmeti i muajit shkurt që la të vdekur më shumë se 50.000 njerëz. (A2 Televizion)