
Autoritetet franceze janë përfshirë në hetimin e mbi 1 milion eurove të falsifikuara, të cilat u sekuestruan pak ditë më parë në Rinas. Pas arrestimit të kamerunasit, Josue Ngankam, hetuesit kanë dalë në konkluzionin se lastrat e përdorura për prodhimin e parave, janë të një cilësie të lartë, ndërsa janë të prodhuara në Francë dhe Bullgari.
Autoritetet Shqiptare, po bashkëpunojnë me ato franceze, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me një rrjet të falsifikimit të parave, të cilët kanë mundur të gjejnë lastra identike me ato të prodhimit të parave, ndërsa i arrestuari mund t’i ketë sjellë eurot si provë cilësie.
Për të mbërritur në Shqipëri, afrikani kishte ndjekur itinerarin Lion-Stamboll-Rinas.
Ajo që ka ngritur shqetësime është se Ngankam kishte qenë në Shqipëri edhe më herët. Kamerunasi ka mbërritur në Rinas edhe më 7 janar të këtij viti, për të dalë nga Shqipëria, më 12 janar me destinacion Varshavën në Poloni.
Hetuesit po verifikojnë çdo të dhënë pasi dyshojnë se 53-vjeçari ka bashkëpunëtorë në Shqipëri, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në mbërritjen e parë në vendin tonë, të ketë futur kartmonedha false.
Në deklarimet e tij, kamerunasi është shprehur se valixhen ia ka dhënë një bashkëkombës i tij me emrin Toni.
Policia ka parë kamerat e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”, por pa mundur të identifikojë ndonjë person që e priste. Edhe gjatë pyetjes në komisariat, kamerunasi ka qenë kontradiktor, duke dhënë disa versione, ndërsa shuma e parave false që tentoi të fuste në vendin tonë është më e madhja e kapur ndonjëherë nga policia. (A2 Televizion)