''Fajin ma ka gjuha'', prezantohen tregimet e moçme të Virgjil Muçit

Nga A2 CNN
27 Tetor 2021, 11:54 | Aktualitet
''Fajin ma ka gjuha'', prezantohen tregimet e moçme

Virgjil Muçi e nisi me përralla shqiptare, por e vijoi rrugëtimin me rrëfenja. Në vitin 2010, ai publikon erotikoni dhe satirikoni, një vëllim sërish me rrëfenja. Thuajse një dekadë më vonë, ai prezanton edhe vëllimin e tretë nën titullin ‘‘Fajin ma ka gjuha’’.

Kishte premtuar përralla shqiptare të tipit “100+1 natë”. Dhe me botimin e fundit Muçi na fton në një botë rrëfenjash me të cilën ka nisur të na grishë shumë vite më parë, në fillim me Përralla shqiptare e pastaj me Erotikonin dhe Satirikonin, 11 vite më parë.

“Ka një fill që lidh këta tre libra. Janë të gjitha fryt dhe frymëzim i gjenisë popullore, që konsideroj si një katedrale e madhe, ndërkohë që këto janë disa afreske të saj”, thotë shkrimtari.  

Të tre këta libra mund të lexohen më vete, madje edhe vetë rrëfenjat mund të lexohen më vete, por për t’u përfshirë në magjinë e tyre vetë autori propozon t’i lexojmë së bashku.

E ndonëse përralla apo legjenda, motivet e së cilave rimerren nga folklori, këto histori janë për të rritur. Proza popullore e Virgjil Muçit është një përpjekje më shumë se 20-vjeçare që lexuesi mund ta marrë në librari nga sot. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos