
Në prag të 2 prillit, organizata “Faktoje” zhvilloi konferencën me temë: “Mos u rrej! Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve në Shqipëri”.
Drejtuesja Klodiana Kapo bëri një përmbledhje të punës 15-mujore që faktoje ka bërë në përpjekje për të verifikuar deklaratat dhe premtimet e zyrtarëve publikë.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Reinout Vos ngriti shqetësimin e përhapjes së lajmeve dezinformuese nga njëra anë dhe vështirësinë në përçimin e të vërtetave te qytetarët.
“Në të njëjtën kohë me pasjen e shumë aksesi në informacion, më shumë se kurrë kemi mundësi të gjendemi përballë dezinformimit. Është ky problemi i madh i kohëve tona. Dezinformimi dhe lajmet e rreme janë fenomene të përhapura dhe nuk është shumë e vështirë për të gjetur prova që konfirmojnë këtë pohim”.
Katër gazetarë u shpallën fitues për shkrimet më të mira të bazuara në verifikimin e fakteve. Çmimi i parë i dhënë mbante emrin Fatos Baxhaku, figurë e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare i cili humbi jetën në vitin 2019. (A2 Televizion)