
Anthony Fauci gjatë periudhës së pandemisë ka qenë një nga mjekët më të ekspozuar në botë, si kreu i Task-Forcës amerikane për përballjen me koronavirusin.
I mënjanuar më vonë nga ish-presidenti Trump, me administratën e re Fauci u emërua si këshilltar i presidentit për Mjekësinë. Imunologu i njohur, i intervistuar dje nga kanali NBC, dha një kuadër të veçantë për vitet e ardhshme, kur pandemia të jetë vetëm një kujtim i hidhur.
“Shumë njerëz do të vendosin të mbajnë maska për vite me radhë, veçanërisht në stinë të caktuara, sepse kjo ka parandaluar përhapjen edhe të viruseve të tjera”, deklaroi ai.
Fauci dha edhe një shembull konkret. “Praktikisht këtë vit nuk kemi pasur shenja të një stine gripale, dhe kjo vetëm sepse njerëzit kishin marrë masat normale kundër COVID-19 ”.
Të dhënat në SHBA tregojnë se këtë vit statistikat e gripit pothuajse janë zeruar. Për shembull, është regjistruar vetëm një rast vdekje pediatrike në gjithë vendin, si pasojë e gripit, në një vend që ka pasur më shumë se 580 mijë viktima nga koronavirusi.
Ndërkohë, qeveria amerikane shpreson se brenda ditës së Pavarësisë, që festohet në 4 korrik, rreth 70% të amerikanëve të rritur të kenë marrë të paktën një dozë të vaksinës. (A2 Televizion)