“Favorizim në tenderat e Ministrisë së Mbrojtjes”, SPAK përfundon hetimet

Nga A2 CNN
1 Mars 2021, 17:59 | Aktualitet
“Favorizim në tenderat e Ministrisë së Mbrojtjes”,

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe do dërgojë për gjykim procedimin ndaj Ylli Imeri, Dafina Keça, Andrea Dapaj, të akuzuar kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, në bashkëpunim.

Pretendohet se këta persona me veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë favorizuar subjektet fituese në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Konkretisht nga ana e autoritetit kontraktor Ministria e Mbrojtjes në datë 25.3.2020, është bërë shpallja e procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës/mallra, kontratë e cila është ndarë në dy lote e më konkretisht:

Objekti: Loti I “Blerje paketa ndihme për familjet në nevojë për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID-19, për nevoja të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit”, Lloji i procedurës: Negocim pa shpallje, Fondi Limit: 105,780,000.00 lek ose 874,215,00 euro, Vlera e kontratës: 101,430,000.00 lek ose 838,264.00 euro,  Fitues: EUROVIA shpknj.,

Objekti: Loti II “Blerje materiale mbrojtëse për mbështetjen e personelit të Forcave të Armatosura të angazhuar në përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID-19, për nevoja të SHPFA”, Lloji i procedurës: Negocim pa shpallje, Fondi Limit: 41,065,000.00 lek ose 339,380.00 euro, Vlera e kontratës: 40,155,500.00 lek ose 331,864.00 euro, Fitues: XPERT SYSTEMS sh.p.k.

Të pandehurit Ylli Imeri, Dafina Keça, Andrea Dapaj me veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë favorizuar subjektet fituese në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Gjithashtu, gjatë hetimit ka rezultuar se nga ana e të pandehurit Sokol Zaimi, me detyrë Drejtor (i komanduar), i Drejtorisë së Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, me mosveprim nga ana e tij, ka sjellë si pasojë përllogaritjen e fondit limit në një vlerë më të madhe, në masën 5,055,000 lekë, për lotin I-rë të tenderit të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes më datë 25.3.2020 “Blerje paketa ndihme për familjet në nevojë për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID-19, për nevoja të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit”, duke konsumuar elemenët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos