Federata italiane mbyll hetimin për rritjen fiktive të bilanceve

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2022, 12:38 | Futboll
Federata italiane mbyll hetimin për rritjen fiktive të bilanceve

Juventusi njoftoi se, së bashku me dhjetë skuadra të tjera italiane, mes të cilave Napoli, Sampdoria, Genoa dhe Empoli, ka marrë njoftimin e përfundimit të hetimeve për rritjen fiktive të bilanceve. Procedura u nis disa muaj më parë nga prokurorët e Federatës Italiane të Futbollit.

Gjithçka nisi pas sinjalizimeve të COVISOC, organit që kontrollon klubet e Futbollit rreth efekteve financiare të disa operacioneve për shitjen ose huazimin e futbollistëve, të cilat ndikonin në rritjen e të ardhurave.

Juventusi ishte nën hetim për transferimet nga viti 2018 deri në 2021-in. Pjesa më e madhe e skuadrave në Itali, akuzohen se kanë huazuar dhe transferuar me shifra mbi normalen, lojtarë të panjohur apo që nuk kishin luajtur kurrë si profesionistë. Gjithçka për të rritur në mënyrë fiktive të ardhurat dhe për të shtyrë në kohë humbjet financiare.

11 klubet kanë dy javë kohë për të shqyrtuar akt-akuzat e prokurorëve, për të ndërtuar më pas mbrojtjen e tyre ligjore. Krimet për të cilat ata akuzohen lidhen me menaxhimin ekonomik. Gjithsesi, nëse shkeljet evidentohen, në statut apo në kodin e Disiplinës dhe Etikës nuk parashikohen dënime.

Në total u hetuan 61 operacione, mes të cilave transferimi i Osimhen te Napoli, shkëmbimi Arthur-Pjanic ndërmjet Juventusit dhe Barcelonës apo edhe kalimi i Pinamonti-t nga Inter te Genoa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos