
Një studim ka nxjerrë në pah se 37% e të rriturve do të jenë mbipeshë në Shqipëri brenda vitit 2035 dhe për nutricionisten Enkeleida Ferrollari, dy janë faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e numrit të personave që vuajnë nga obeziteti.
E ftuar në “Dita jonë” në A2 CNN, Ferrollari ka vënë theksin se kequshqyerja dhe pasiviteti janë dy shkaqet kryesore që çojnë në krijimin e dhjamit të tepërt në trupin e njeriut. “Kemi një rritje të fëmijëve obezë dhe të fëmijëve me probleme me diabetin, tip 2, me kolesterolin, që nuk ndesheshin më parë dhe që janë faktor i obezitetit. Dy faktorët kryesorë janë ushqimi dhe pasiviteti, kemi fëmijë që janë gjatë gjithë kohës para kompjuterit, teknologjia i ka bërë shumë pasivë”, tha Ferrollari. “Rrinë me një laptop përpara dhe patatinat në krahë. Gjithashtu, edhe aktiviteti fizik mungon. Edhe për të shkuar në shkollë vjen i merr furgoni te shtëpia”.
Kjo problematikë është vënë re më së shumti në vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Sipas saj, obeziteti do të sjellë edhe pasoja ekonomike për këto vende, pasi është i shoqëruar me sëmundje. Për këtë arsye, thekson se shteti do të duhet të ndërhyjë me politika për t’i paraprirë problemit. “Shteti duhet të ndërhyjë me politika për uljen e obezitetit, shkon në kosto edhe për shoqërinë. Sepse përkthehet në sëmundje, do ketë më shumë kosto për trajtimin me ilaçe”, shtoi nutricionistja.
Në këto kushte, Ferrollari shprehet se një formë për parandalimin është edukimi ushqimor që duhet të nisë që në çerdhe dhe kopshte, pa përjashtuar shembullin pozitiv që duhet të japë familja.
“Duhet të nisë që në lindje dhe te fëmijët në shkolla, që në nivelet e para të edukimit. Kultura ushqimore është modeli, një prind obez ka predispozitën që të ketë një fëmijë obez”, tha ajo.
Referuar të dhënave të deritanishme, në vitin 2018, 21.3% e popullsisë ka qenë obeze e ndërsa shumë shtete kanë ngritur alarmin.
Ushqimi i “famshëm” që mund t'i ndihmojë fëmijët të rriten
Mëngjesi duhet të jetë mbreti i vakteve të ditës. Një veprim kyç, sipas studimeve, është përfshirja e vezëve në mëngjes, pasi në këtë mënyrë mund të marrim një sasi më të madhe proteinash. Për fëmijët, përtej të gjithë të mirave, shtohet një përfitim tjetër mjaft i rëndësishëm: i ndihmon ata të rriten.
Sipas një studimi të profesorëve të Universitetit të Uashingtonit të publikuar në Pediatrics, konsumimi i përditshëm i vezëve mund të garantojë që fëmija të mos përballet me probleme me gjatësinë apo peshën. Pra, kjo është një arsye shumë e fortë për të përfshirë vezën në dietën tuaj. (A2 Televizion)