
Fermerët dhe blegtorët e vegjël do të mbeten jashtë financimit nga skemat kombëtare të subvencionimit të Ministrisë së Bujqësisë. Kriteret e përfitimit kanë ndryshuar duke u rritur kështu kufiri minimal i krerëve të kafshëve dhe sipërfaqes së serave. Ministria këshillon krijimin e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, edhe pse kjo nismë që prej 2015-s nuk ka gjetur mbështetjen te fermerët dhe blegtorët.
“E kemi adresuar në skemën kombëtare që fermerët me 2, 3, 4 dynymë të bashkohen në të paktën 1 hektar për të përfituar. Sa herë e themi këtë, unë ndiej një vështirësi në sytë e njerëzve që takoj. E kemi menduar fare të thjeshtë skemën këtë vit, se nuk duam ta koklavisim për fermerët”, u shpreh ministrja Frida Krifca.
Në skemën e viti 2021, një fermer me mbi 2 dynym serra përfitonte fonde për ndërrimin e plastmasës, blerjen e fidanëve, imputeve bujqësore etj., ndërsa këtë vit për të thithur këtë financim, duhet mbi 1 hektar serra.
“Duke qenë bashkë, bëhen më konkurrues dhe negociojnë çmimin e produkteve, si dhe blerjen më lirë të imputeve bujqësore, pra është ekonomi shkallë”, deklaroi drejtori i politikave në Ministrinë e Bujqësisë, Irfan Tarreli.
Ndryshime ka edhe për blegtorët, duke e rritur minimumin e krerëve në 100 nga 70 për të imta, dhe deri në 10 krerë për gjedhë nga 5 që ishte një vit më parë.
“Fermat e vogla nuk janë eficiente dhe është gjykuar rritja e pragut që nxit fermerët për rritjet e krerëve”, shtoi Tarreli.
Këto ndryshime, nuk janë pritur mirë nga fermerët dhe blegtorët, të cilët njoftojnë zhvillimin e një proteste, pasi shumica e tyre ndihen të përjashtuar nga skemat për shkak se nuk i plotësojnë kushtet. (A2 Televizion)