"Fermerët fluturues" të limonëve

Nga A2 CNN
22 Korrik 2022, 19:59 | Lifestyle

Mbi kodrat e gjelbra të Amalfit në Italinë jugore, fermerë të shumtë kërcejnë nëpër tarracat e mbushura me pemë limoni, përballë detit Mesdhe. Duke u mbajtur mes shtyllave të drurit, “akrobatët” jo shumë të rinj, sfidojnë gravitetin dhe përkulen për të mbledhur limonë e për t'i transportuar ato në arka që peshojnë më shumë se 25 kilogramë.

Një aromë e fortë rozmarine, e përzier me jasemin, sherebelë dhe natyrisht, aromën unike të agrumeve pushton të gjithë qytetin e mbrojtur nga UNESCO të Amalfit. "Jo gjak, por lëng limoni kalon nëpër venat e mia”, thotë Gigino Aceto një fermer 87-vjeçar, familja e të cilit ka kultivuar limonë që nga vitet 1800. Nga agimi deri në muzg, jeta e Aceto-s rrethohet vetëm nga limonët. Ai fle në pemishten e tij me limonë dhe duke qeshur thotë madje se është ngjizur mes këtyre bimëve. “Në kohët e vjetra të prindërve të mi, mungesa e hapësirës dhe intimitetit nënkuptonte që dashuria bëhej jashtë, nën agrumet”, tregon ai mes batutash.

Limonët janë padyshim simboli i biodiversitetit të zonës, që ka mbetur i pandryshuar për shekuj. Limoni i madh Sfusato, që është variteti tipik i Amalfit, kultivohet në një zonë që shtrihet përgjatë detit Tirren, midis Napolit dhe Gjirit të Salernos. Një limon i vetëm mund të peshojë deri në tre kilogramë. Por, fatkeqësisht, faktorë të ndryshëm si industrializimi, ngrohja globale dhe shtimi i serrave ka bërë që të ulet ndjeshëm prodhimi i këtyre agrumeve.

Veti të mrekullueshme

Me ngjyrën e tij të verdhë të lehtë, aromën karakteristike, të lëngshëm dhe më një lëkurë të ëmbël, Sfusato mund të hahet i prerë në feta si një mollë, dhe është bërë një përbërës kryesor në kuzhinën tradicionale të zonës. Përdoret në gatimet e makaronave, salcat për sallata, peshkun e pjekur, ëmbëlsirat, si dhe likerin e famshëm të Italisë "Limoncello". Për shkak të vetive të tij, është i pasur me vitamina C, B, E, kalium dhe magnez. Banorët kanë gjetur përdorime të panumërta, nga dezinfektimi te mjekësia natyrale.

Limonët që i sollën në mesjetën e hershme gjatë tregtisë me arabët, dikur përdoreshin nga marinarët, veçanërisht në Evropën Veriore, për të luftuar sëmundje të ndryshme. Ata gjithashtu luajtën një rol të rëndësishëm kundër kolerës në Napoli në vitet 1950.

Megjithatë, nuk janë vetëm vetitë ushqyese dhe farmakologjike që i bëjnë këto limonë kaq të rëndësishëm për këto zona. Duke depërtuar mes shkëmbinjve të egër me pamje nga deti, arkitektura e rregullt e pemëve me limonë, parandalon disa fatkeqësi natyrore, si rrëshqitjet e dheut.

Sistemi i tarracave shfrytëzon forcën e gravitetit për të drejtuar ujin e shiut dhe për të ujitur bimët. Ndërsa shtyllat e drurit të gështenjës përdoren për të krijuar një skelë rreth qendrës së pemëve të limonit dhe për të lejuar "fermerët fluturues" - siç janë quajtur nga shkrimtarja italiane Flavia Amabile - të ecin mbi pemë për krasitje, korrje dhe mirëmbajtje.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/07/21/nje-bukuri-qe-admirohet-qe-prej-dy-mije-vjetesh/

A2 CNN Livestream

Latest Videos