Festa e Kurban Bajramit, çmimet e mishit dhe fruta-perimeve shtrëngojnë xhepat e shqiptarëve

Nga A2 CNN
28 Qershor 2023, 14:56 | Ekonomi
Festa e Kurban Bajramit, çmimet e mishit dhe fruta-perimeve

Kriza ekonomike ka ndikuar në fuqinë blerëse të qytetarëve, por si në çdo festë të shenjtë, edhe për Kurban Bajram, qytetarët përpiqen të shpenzojnë pak më shumë se ditët e tjera. Si janë përballur ata me çmimet?

Teksa tradita e do që tavolina të jetë plotë, besimtarët myslimanë tregojnë se për të gatuar pak më shumë sot, kanë kursyer ditët e mëparshme.

“Mundohemi ta festojmë se shyqyr zotit kemi fëmijët që na ndihmojnë.”

“Patjetër që çmimet sot kanë qenë më të larta, por shpresojmë të bëhet më mire.”

“Na ka marrë kjo rutina  e përditshmërisë në rritje dhe s’na bëjnë përshtypje, ose është ajo ndjenja që jemi të lumtur sot”, tregojnë qytetarët.

Mirëpo, tradita e të bërit kurban shumë pak po përdoret, për shkak të çmimit të lartë të mishit. Mishin, por dhe produktet e bulmetit, edhe pse kryesore në tryezën e tyre të festës, qytetarët shumë pak kanë arritur t’i blejnë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 14,3% në maj dhe  “mishi” me 12,1%.

 “Në kohët më parë ne thernim dash, ia lidhnim me peshqir sytë dhe e thernim, ndërsa sot janë shumë të shtrenjtë. Unë mora gjysmë kile mish viçi se nuk i përballoja dot të tjerat”, tregon qytetari.

Në maj, xhepat e qytetarëve u rënduan më shumë pasi shumica e ushqimeve pësuan dyfishim të çmimeve, kryesuar nga perimet me 13% dhe frutat 12%. Edhe për qershorin, sidomos disa ditë para festës së Kurban Bajramit, tregtarët pranojnë se çmimet pësuan rritje 50 lekë më shumë në shumicën e produkteve.

 “Blerjet thuaj janë të njëjta si përditë. Ka pas jo vetëm një rritje të vogël, por 50 lekë për kile në çdo produkt. Çdo gjë varet nga shumica, nëse i rrisin atje do i rrisim dhe ne. Krahasuar me një vit më parë çmimet në këtë kohë ishin gjysmë për gjysmë. Tani 150 lekë një kile qepë e thatë, vjet ishte 60 lekë kilja, një kile domate 180 lekë sot, vjet80 lekë kilja”, shprehet tregtari.

Futja në treg e prodhimeve vendase të stinës nuk ka ndikuar në uljen e çmimeve as për muajin qershor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos