Festivali Folklorik i Gjirokastrës

Nga A2 CNN
9 Korrik 2023, 17:02 | Kulturë
Festivali Folklorik i Gjirokastrës

Udhëtojmë këtë fundqershori në Gjirokastër, qytetin e gurtë që nuk do të gjejë qetësi, as ditën dhe as natën. Ngado do të jehojë muzika, rrugët do të pushtohen nga kostumet shumëngjyrëshe, ndërsa të huajt do të shijojnë rrugicat me kalldrëm e ndërtesat ndriçuar me projeksione të kulturës shqiptare. Kalaja është ajo që i thërret të gjithë.  

Dhe në kalanë e Gjirokastrës është ndalesa e parë. Aty, një skenë na fton në festë. Festivali pritet të nisë zyrtarisht në orën 19.00, por kryetari i qytetit të gurtë ka veshur kostumin tradicional për të pritur miqtë dhe si asnjëherë tjetër edhe me këngë. Festivali me një historik të gjatë njëlloj si dikur ka pritur edhe figura politike. Ka nisur me kryeministrin, ministren e Kulturës ditën e parë, për të vijuar me këdo që duartroket fijet e një tradite që na bën bashkë në gëzime.

Ndërsa ka sjellë në vëmendje xhubletën dhe vlerësimin e saj nga UNESCO, nga qyteti i Gjirokastrës, një tjetër trashëgimi kulturore tanimë e gjithë botës, ministrja Margariti guxoi edhe me një tjetër ide, festivalit folklorik mundet t’i përgatisim një dosje, sepse eventi është një tjetër thesar që bën bashkë shqiptarët. Këtë herë edhe të huajt në Gjirokastër.

Mbrëmja e parë e këtij festivali kishte në program Hasin, Kukësin dhe Tropojën. Ansamblet e këtyre qyteteve ishin të parat që rrëfenin kostumet e tyre, këngët, vallet plot ritëm dhe sigurisht çiftelinë apo këngët që dëgjojnë bjeshkët shqiptare.

Një harmoni mes dritës dhe historisë gjeje në çdo mur të kalasë apo të ndërtesave të vjetra të qytetit. Edhe po të zbrisje nga ajo që të huajt e quanin fortesën e qytetit, në pjesën historike të Gjirokastrës gjeje sërish jetë, hare dhe festë deri në orët e para të ditës tjetër.

Te Obelisku, siç e njohin banorët aty, gjetëm një tjetër festë. Magjia e trashëgimisë historike kulturore të Shqipërisë shfaqej në faqet e ndërtesave kulturore përmes dritave dhe projektorëve që shkëlqenin në to, ndërsa kërcimtarët veshur me elemente të bukura të xhubletës, thesarit kulturor që mban në vetvete shpirtin e shekujve, performonin për të pranishmit. Energjia e hapave të kërcimtarëve bashkëndjeu me bukurinë e detajeve të xhubletës, duke frymëzuar të gjithë të pranishmit që ndodheshin aty. Mëngjesin tjetër premtimi se Gjirokastra do të dhuronte festë në çdo orë të ditës për plot tetë ditë, ishte një ndjesi që e përjetoje kudo. Artizanë, kuzhinierë, amvisa, punëtori e ekspozita. Sapo të hidhje hapin drejt qytetit për të marrë kafen e mëngjesit, banorët aty të prisnin plot ide.

Diku në një cep të Gjirokastrës gjeje artizanë. Madje, një nga spektaklet më interesante që mund të përjetoje në rrugicat e qytetit të gurtë ishte mësimi i isopolifonisë nga të huajt. 

Të huajt në Gjirokastër lakmonin edhe ushqimin plot shije që ato ditë e gjeje të servirej ngado, jo vetëm nëpër restorantet e qytetit. Një zvicerane që donte të mësonte si bëheshin petullat apo një australian që provonte qifqitë e Gjirokastrës duke kërkuar dhe për miqtë e tij, ishin pamje të zakonshme të qytetit që priste pasditen për të nisur festivalin në kalanë krenare. 

Nata e dytë ngjiti në skenë artistët që vinin nga Qarku i Lezhës dhe Qarku i Vlorës, të cilët emocionuan njëlloj sikurse edhe Qarku i Kukësit, që në skenë një ditë më parë kishte përgatitur edhe fëmijë për të treguar se si kultura mund të përcillet brez pas brezi.

Çdo mbrëmje e festivalit ngjiste në skenë edhe shqiptarë të cilët jetojnë jashtë kufijve zyrtarë e mbrëmja e dytë i dedikohej shqiptarëve të Malit të Zi, ndërsa e treta shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. 

Programi i pasur me serenatat korçare dhe dasmat krutane si elementë të veçantë të folklorit ishin pjesë e interpretimeve të folkloristëve të Korçës, Durrësit dhe Krujës natën e katërt të festivalit të Gjirokastrës. 

Në mbrëmjen e pestë të Festivalit Folklorik Kombëtar u ngjitën në skenën e Kalasë artistët e Fierit me valle dhe potpuritë mbresëlënëse për të vijuar me të paharrueshmet, uniket, këngët e jaret shkodrane. 

Rapsodët e Zvicrës, ansambli i Londrës, grupet artistike nga Greqia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bashkuan skenës në kalanë e Gjirokastrës mbrëmjen e gjashtë, bashkë me interpretimin e artistëve nga Elbasani. 

Gjirokastritët që mikrprisnin magjinë e të gjitha kostumeve, këngëve dhe valleve performuan mbrëmjen e shtatë. Për ta lënë më pas skenën të lirë për arbëreshët që trashëgojnë me besnikëri disa pasuri kombëtare. 

Muzika italiane e orkestrës së themeluar nga Renzo Arbore si të ftuar të festivalit mbrëmjen e tetë kanë ftuar mijëra turistë e vizitorë të kërcejnë nën ritmet e muzikës së tyre, ndërsa mbrëmja e fundit ishte menduar të mbyllej si një festë shqiptare, ku ansambli ynë kombëtar dhe ai “Shota e Shqiptarisë” që rrugëtonte nga Kosova u bashkuan në një trupë të vetëm artistike për të performuar më të bukurat e dasmave shqiptare, nga malësia, te Shqipëria e mesme, nga jugu e deri te vallet çame.

Potpuritë dasmore tironse finalizuan gjithë festën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos