Sharjah, modernizëm e traditë

Nga A2 CNN
10 Prill 2023, 08:32 | Kulturë
Sharjah, modernizëm e traditë

Është mars dhe A2 CNN udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Sharjah ndodhet shumë pranë Dubait, emiratit më të njohur për nga luksi i aventurave dhe përvojës së një udhëtari të botës. Ashtu sikurse Abu Dabi dhe që është emirati më i madh, e më pas Dubai, edhe Sharjah që renditet i treti në pasurinë e vendeve dhe kulturës që ofron në botën arabe, na pret i ndriçuar.

Duket sikur dritat në këtë emirat nuk shuhen asnjëherë, sado vonë mbërrijmë aty. Festivali i dritave ka shndërruar jo vetëm ndërtesat, por edhe natyrën në një manifestim detaje të kulturës, në një manifestim që ne do të mundohemi t’u prezantojmë përmes këtij reportazhi.

“Buzëqesh sepse je në Sharjah”, të thonë menjëherë dritat e këtij qyteti, për të cilin kemi mësuar fillimisht se është pak më strikt në mënyrën se si e ndërton jetën dhe udhëtimin një qytetar i botës këtu. Asnjë nuk do të të paragjykojë nëse ke veshur diçka të hapur, por vendasit i kanë supet dhe këmbët e mbuluara. Alkooli nuk shitet në këtë vend, por 20 minuta më larg, në Dubai apo Ajman, mund të sigurosh gjtihçka. Sharjah si emirat ka si kryefjalë fëmijët, edukimin e tyre dhe zhvillimin e artit. Jo pak e dinë që edhe udhëtarët që prenotojnë të provojnë eksperiencën e Rally-t në shkretëtirë kalojnë në Sharjah, sepse shkretëtira Al Faya i takon këtij emirati. Ajo është një shkretëtirë që për vite ka mbartur mjaft sekrete të njerëzimit, e që pas 40 vitesh kërkimesh e gjetjesh të arkeologëve europianë aty nis të kuptosh se Sharjah është një ndër emiratet ku arkeologjia merr kuptim tjetër.

Këtu janë katër destinacione të rëndësishme ku gjetjet arkeologjike flasin për qytetërime të lashta, vende që tanimë janë kandidate në listën e trashëgimive botërore e që presin në vitin 2025 të pranohen nga UNESCO. E nëse keni menduar se nga ky vend mund të shijosh vetëm luksin, historia është një tjetër anë e medaljes që ne duam t’ua prezantojmë. Jo se një kafe apo një darkë në shkretëtirë nuk është e bukur, jo sespe një shëtitje me deve është e zakonshme kur mendojmë për këto emirate, por edhe sepse të bësh hiking në mleiha është po aq e bukur, të vizitosh muzetë dhe galeritë e këtij vendi është një tjetër përvojë e bukur.

Po aq sa edhe të shohësh shkëlqimin e xhamive që janë kaq të shpeshta në një rrugëtim në Sahrjah. Bienalja e 15 e artit në Sharjah është vendosur në 19 lokacione të ndryshme të emiratit. Në të pesta qytetet ku janë vendosur galeritë dhe hapësirat e ekspozimit për vizitorë vendas dhe nga e gjithë bota, kjo bienale është e lirë dhe falas për të gjithë. 

Sheikha Hoor Al Qasimi, Presidente e Sharjah, thotë: “Art Foundation janë themeluar në vitin 1993, bienalet e para, dhe të gjithë mendojnë se kam qenë sërish unë që jam kujdesur të realizohen ato. Atë kohë kam qenë vetëm 13 vjeç dhe kjo do të ishte një histori e bukur, por jo. Në të vërtetë unë jam rritur me bienalet e artit këtu në Sharjah. Kam 20 vite që kujdesem që bienalja të presë sa më shumë artistë cilësorë nga bota dhe të jetë një zë i fortë për artin kontemporan që po zhvillohet në botë. Unë kam vetëm 20 vite që kujdesem për bienalen, por emirati Sharjah ka 30 vite që pret artistë që flasin me zërin postmodern të veprave të tyre”. 

Gjatë vizitës në disa nga galeritë nuk mundet të mos shohim që shumë prej veprave lidhen me identitetin e njeriut. Diku një sy, një vështrim i asaj çka po i ndodh botës me zhvillimin e menjëhershëm të rrjeteve sociale. Diku një vepër tjetër të rrëfen për emigrimin dhe rrënjët që shkëputen gjithënjë e më shumë me largimin nga shtëpia, e diku tjetër një lidhje më e fortë me kulturën tënde.

Sheikha Hoor Al Qasimi shprehet: “Këto vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra në botë. Diku diskutohet pandemia, diku diskutohet tërmeti që ndodhi në Turqi dhe Siri, e diku tjetër njerëzimi përballet me çështje të ekologjisë apo emigrimit. Jemi përpjekur që përmes veprave të këtij edicioni të përcjellim zëra për solidaritet dhe po mendoj se të bëhemi bashkë për të ndarë këto zëra për këto çështje mund të na sjellë ne fuqi dhe shpresë”. 

Çmimet për këtë edicion të bienales janë dhënë dhe A2 CNN mund të gjente dy prej atyre që ishin vlerësuar për mesazhin që jepnin. Artistja Hajra Waheed përcillte përmes veprës së saj fuqinë e gruas që kërkon lidershipin e që në zhurmën e shoqërisë mund ta humbasë atë. Instalacioni i saj përfshinte jo vetëm artin vizual, por edhe muzikën. Në të mund të bëheshe pjesë e të përpiqeshe të gjeje fuqinë që mundet për të ndryshuar ato pjesë të realitetit që nuk të pëlqejnë.

Një tjetër vepër e rëndësishme e këtij edicioni ishte edhe ajo e artistes kolumbiane Doris Salcedo: “Unë jam një artiste kolumbiane, skulptore e cila dëshironte të prezantonte veprën e saj në këtë bienale në Sharjah. Për këtë instalacion artistik janë përdorur 804 pemë të vdekura për të simbolizuar pikërisht natyrën, kushtet dhe shpeshherë ndryshimet klimatike apo tragjeditë që i detyrojnë njerëzit të lëvizin nga vendlindja e tyre. E kam realizuar këtë vepër për dy vite dhe është një homazh i cili i dedikohet të gjithë emigrantëve që përpiqen të ndërtojnë shtëpinë e tyre në një vend tjetër të botës”. 

Bienalja këtu është falas si për vendasit, por po ashtu edhe turistët që mund t’i vizitojnë të 19 destinacionet e artit, në 5 qytetet e emiratit Sharjah, që nga 7 shkurti kur është çelur ekspozita e deri më 11 qershor kur ky edicion i 15 përfundon.    

Por, krah për krah me galeritë e artit postmodern që ka mbërritur këtu nga e gjithë bota, muzetë e shumta në pesë qytetet e këtij emirati mbajnë lidhje të forta me kulturën. Historia është një tjetër pjesë e asaj jete që të vjetrit kërkojnë t’ua rrëfejnë të rinjve për të mos humbur lidhjet me identitetin. Shembull është muzeu i makinave klasike që janë përdorur dikur në Sharjah. Një koleksion i makinave që nuk i përngjan aspak makinave të larta me temë discovery që përdoren sot në Sharjah, por makina klasike. Makina klasike që nuk prisnim t’i gjenim në një panair të madh të trashëgimisë dhe kulturës. Por, kjo edhe kjo është pjesë e kulturës ashtu sikurse mund të jetë kafja në mes të shkretëtirës apo hurmat e famshme arabe.

Në Sharjah ku ne takojmë ditët e trashëgimisë siç i thonë vendasit njihemi edhe me këto elementë të kulturës dhe të traditave që ato kanë. Dhe nuk ka se si të mos e nisim me kafenë. Ajo piqet ashtu sikurse në shumë vende të botës edhe këtu. E pas kësaj zonjat e bluajnë kafenë e pjekur përmes një ene që nuk i ngjan aspak mullirit që përdorej dikur në kulturën tonë. Ena e tyre është metal, e aftë të krijojë tingull jo vetëm kur kokrrat e kafes goditen, por edhe për të sinjalizuar dikë që mund të jetë pranë e që e fton për kafe. Në Sharjah për këtë traditë mikpritjeje ka edhe një muze, ku zonjat aty na tregojnë se kafja bëhej dikur në rërë dhe se kjo enë që lëshonte tinguj jo vetëm të ftonte për kafe, por edhe ndihmonte dikë që mund të kishte humbur në shkretëtirë, që kishte nevojë për ujë apo ushqim. Kjo traditë e kafes që zien në rënën e ngrohtë ku temperaturat e larta nuk mungojnë vazhdon ende në disa restorante tradicionale, sigurisht me disa përparësi të tjera moderne për të kursyer edhe kohën e një turisti që dëshiron të provojë kafen arabike të zier në rërë, por që kërkon të gjejë edhe të tjera atraksione të kulturës.

Por, një kafe arabike, nuk kishte si të shijohej e plotë nëse pranë saj nuk të shërbenin apo të vendosnin hurma arabie. Ata thuajse vinin gjithnjë në formën e frutit të thatë. Kishte aq shumë prodhim të këtij fruti në kulturën arabike sa vështirë ta konsumoje të gjithë. Tharja e frutit dhe konservimi për një kohë më të gjatë kishte lindur si nevojë e njerëzve që e kultivonin atë: “Hurmat tona janë të njohura në të gjithë botën. Madje jam i bindur se edhe ju do të merrni disa me vete kur të ktheheni në shtëpitë tuaja. Në këto enë që ju shihni këtu, jo vetëm konservohen hurmat e arabisë, por edhe thahen, gatuhen dhe përpunohen që të jetojnë sa më gjatë. Ne me hurmat, që i kemi disa lloje, por që më të famshmet janë ato të artat dhe ato të errëtat kemi arritur të realizojmë shumë receta. Ne nuk përdorim shumë shërbet, por shurup, për petullat apo ëmbëlsirat që shijoni ju këtu. Dhe shurupi më i zakonshëm vjen sërish nga hurmat e arabisë. Ja, mbylleni kamerën dhe shijoni edhe ju diçka”. 

Ushqimi i shpejtë, ai që gatuhej në rrugë nuk ishte i zakonshëm në Sharjah, ndonëse pranë zonave të marketeve të mëdha, të tregjeve dhe qendrave tregtare ndonjëherë edhe mund të shihje kabina që ofronin ushqim të shpejtë për ata që duan të pushojnë përpara se të shkojnë tek dyqani i radhës.

Çka pushtonte rrugët e Sharjah në fakt ishte pema e palmës, nga e cila banorët kishin mësuar të tjera sekrete. Palma kishte disa korkrra të bardha që përdoreshin për një ëmbëlsirë, që vetëm të vjetrit dinin ta bënin dhe e kishin sekret vetëm për trashëgimtarët. Palma në çdo fije të vetëm ishte bërë e vleshme për banorët sepse shportat, çanta e dikurshme, ulëset, tapetet e shkretëtirës, kutitë e paketimeve të ushqimeve dhe shumçka krijoheshin nga palma. Në këtë panair vlerash e traditash, kudo të hidhje vështrimin gjeje një element tjetër të kulturës së tyre. Vajza të vogla që ishin kujdesur të vishnin kustumet e tyre tradicionale, apo burra të vjetër që i dedikoheshin ende devesë që i kishte shoqëruar gati një jetë të tërë në shkretëtirë.  

Nuk do të largohemi nga Sharjah pa vizituar Khorfakanin, një qytet që është i njohur për ujëvarën, çka nuk është shumë e zakonshme në qytetërimin arab, por ajo çka na tërheq më shumë në këtë qytet është edhe amfiteatri fantastik i ndërtuar shumë kohë më parë e që vijon të ketë një jetë artistike të pasur. Ujëvara dhe amfitatri janë ngjitur si shenjë e një qyteti që gëlon nga jeta. Krenari e këtij qyteti që ofron edhe pushime verore, sepse ujërat janë pranë është edhe një Khor Kalba, një destinacion që i përngjan një akuariumi, po aq sa edhe një parku të mbrojtur ku mund të gjeni specie ujore për të cilat kujdeset një ekip i tërë: “Dhjetë vite më parë ky park ishte i mbyllur për shkak të shkatërrimit të natyrës, bimësisë dhe jetës ujore këtu. Tanimë ne e kemi hapur për vizitorët dhe sërish do të duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, pasi ka specie që janë shumë të rralla në gjithë botën e që gjenden këtu. Një punë e madhe bëhet edhe për ruajtur ekosistemin. Në fillim janë gjetur mbetje plastike aq shumë se nuk kemi pse të çuditemi kur flasim për zhdukjen e disa specieve. Këtu kemi breshka uji të vjetra dhe të reja. Përpiqemi me çdo kusht të ruajmë çdo specie që përmend Kurani dhe kjo sepse shumë pasuri të njerëzimit kanë humbur për shkak të pakujdesive tona”. 

Udhëtimin nuk kemi si ta mbyllim ndryshe, përveçse me vizitën në një nga xhamitë e këtij emirati. Thuajse çdo rrugë kryesore në këtë emirat ka një xhami për qytetarët dhe nuk i shpëtojmë dot kërshërisë për të parë nga afër magjinë e një institucioni ku mendimet e njerëzimit përshpërisin veç lutje për një jetë më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos