
Ka nisur rrugëtimin Festivali veror i Librit në Durrës. Më shumë se 30 botues do të prezantojnë në stendat e tyre titujt e rinj, por festivali premton takime letrare jo vetëm me autorët, përkthyesit dhe botuesit. Eventet përfshijnë edhe teatrin, artin vizual dhe muzikën.
“Një det me libra” është motoja e festivalit më të ri letrar që ka marrë jetë në qytetin e Durrësit. Deri më 21 gusht, shëtitorja Taulantja por edhe pikëtakime të tjera në qytet kthehen në një arenë të madhe feste për librin!
Festivali veror i librit në Durrës që ka bërë bashkë Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, Bashkinë e Durrësit, Ministrinë e Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit.
Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore e librore, që do të bëjë bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues, pedagogë, studiues, aktorë, muzikantë e personalitete të tjera të fushës së letrave që kanë një qëllim të vetëm: të nxisë dashurinë për librin e leximin, veçanërisht te të rinjtë.
35 shtëpi botuese dhe më tepër se 30 aktivitete të kulturës do të mbahen në pika strategjike të qytetit, si: shëtitorja Taulantia, Amfiteatri Romak, Muri i Kalasë e destinacione të tjera që njihen për takimet me librin. (A2 Televizion)