
Pavarësisht rënies së çmimit ta naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, Bordi i transparencës bëri të kundërtën këtë të mërkurë në Shqipëri, duke e rritur çmimin në 227 lekë për litër.
Në ndryshim nga herët e tjera, në njoftim sqarohet se çdo referencë mbi uljen apo rritjen e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, nuk ndikon në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë bursën e nënprodukteve gazoil, benzinë.
“Bordi sqaron opinionin publik se zbaton me kujdesin e duhur aktin normativ në fuqi, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve në këto kushte të krizës botërore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve të nënprodukteve të naftës.
Në këtë kuadër Bordi thekson se:
i. Çdo referencë mbi uljen apo rritjen e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, nuk impakton në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë bursën e nënprodukteve gazoil, benzinë. Për të informuar drejt dhe pa shtrembërime opinionin publik, media dhe faktorët e ndryshëm politikë dhe jopolitikë duhet ti referohen të dhënave zyrtare të agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, për bursen e mesdheut. Administrata Doganore është orientuar që të bëjë publik informacionin mbi lëvizjet e kësaj burse me qëllim që askush të mos shtrembërojë realitetin dhe të abuzojë me informacionin.
ii. Nga Vendimi i fundit i Bordit Nr. 45, Prot, datë 11.8.2022, i cili i referohet të dhënave zyrtare të agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD të datës 10.8.2022, lëvizja e çmimeve ka qënë si vijon:
Datë 11.08.2022: Benzina 10 ppm +29 USD/ton; Gazoili 10ppm +42 USD/ton
Datë 12.08.2022: Benzina 10 ppm + 6 USD/ton; Gazoili 10ppm + 66 USD/ton
Datë 15.08.2022: Benzina 10 ppm – 5 USD/ton; Gazoili 10ppm + 41 USD/ton
Datë 16.08.2022: Benzina 10 ppm -20 USD/ton; Gazoili 10ppm +40 USD/ton
iii. Kursi i këmbimit LEK/USD, i cili impakton gjithashtu çmimin përfundimtar të karburanteve, është rritur me +1,42 lekë, krahasuar me kursin zyrtar të përdorur në mbledhjen e fundit të Bordit.
Pra, pavarësisht se çmimet në bursë kanë pasur tendencë rritje, në javën e fundit, Bordi nuk ka marrë Vendim të menjëhershëm për rritjen e çmimit të nënprodukteve”, sqaron Bordi. (A2 Televizion)