
Në 106-vjetorin e Pavarësisë, Presidenti i vendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama janë bërë pjesë e ceremonisë zyrtare të zhvilluar si çdo vit në Vlorë. Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Meta dhe Rama vendosën kurora me lule në monumentin e pavarësisë, në një ditë me shi ku nuk ishin mbledhur shumë vizitorë.
Më herët në mëngjes, Kryeministri Rama postoi në llogarinë e tij në Facebook një fotografi të pak ditëve më parë ku ai dhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bashkonin duart mbi flamur.
Në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi homazhe tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, pasi për PD 28 nëntori konsiderohet edhe si Dita e Çlirimit.
Gjithashtu në Tiranë u organizua në Sheshin Skënderbej edhe një ceremoni nga Bashkia e kryeqytetit, ku ishte i pranishëm edhe kryetari Erion Veliaj.

Shpallja e Pavarësisë
Më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, nga një grup atdhetarësh shqiptarë të kryesuar nga Ismail Qemali.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë do të bëhej pas disa muajsh, në Konferencën e ambasadorëve në Londër.

A2 iu uron të gjithë shqiptarëve Gëzuar Ditën e Pavarësisë! (A2 Televizion)