
Përballja e përfaqësueses sonë me Bjellorusinë do të vendosë skuadrën që do të fitojë grupin dhe do të vazhdojë të luftojë për fitimin e Ligës C.
Pas performancës ndaj Kazakistanit, trajneri Edi Reja ka besim se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të përsëritur suksesin e Minskut: “Është një ndeshje finale. Duhet të jemi të qetë dhe të kemi siguri. Kemi cilësitë e duhura për të bërë një ndeshje futbolli. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të kemi ekuilibër, ndeshjet zgjasin 90 minuta. Ata janë një skuadër që mblidhet mirë mbrapa dhe ka kundërsulm të shpejtë. Nëse ruajmë ekuilibrin do të bëjmë gjëra të mira. Nuk mendoj se do të bëj ndryshime të mëdha. Laçi do të zëvendësojë me shumë mundësi Abrashin. Do të donim të luanim në një fushë tjetër për shkak të terrenit, por e kemi të pamundur”.
Kapiteni i kuqezinjve, portieri Etrit Berisha tregon me bindje se Shqipëria ka cilësi më të mira se të gjithë rivalët e grupit, ndërsa premton maksimumin nga e gjithë skuadra në përballjen me Bjellorusinë: “Kemi kualitet më të lartë se ekipet e tjera. Duhet të futemi të qetë për të fituar ndeshjen. Gjithë çunat janë të vetëdijshëm që duhet të japim maksimumin”. (A2 Televizion)