
Bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, që zënë peshën më të madhe të punësimit në vend, hasin vështirësi të mëdha në financim. Një raport i Bankës Botërore vlerëson se hezitimi i bankave për të huazuar te këto biznese, krijon një pengesë të madhe për rritjen e tyre dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik.
Për këtë arsye, institucioni financiar ndërkombëtar propozon shndërrimin e skemës së garancisë sovrane si masë ndaj krizës së Covid-19, në një program të rregullt me fokus të veçantë bizneset e vogla.
Kriza e konsumit që po kalon ekonomia ka krijuar një problem të madh me likuiditetin për bizneset, 23% e të cilave shprehen se do të kërkojnë të marrin hua. Megjithëse edhe kur bankat pranojnë aplikimin e bizneseve, interesat janë shumë të larta, për shkak të rrezikut.
Për këtë arsye, Banka Botërore propozon që puna për ngritjen e një Skeme Publike për Garantimin e Kreditit të nisë sa më parë, në mënyrë që të jetë gati gjatë fazës së rimëkëmbjes. Ekspertët rekomandojnë që garancia shtetërore të jetë jo më pak se 50% e principalit, apo vlerës së kredisë që do të merret. Ndërsa një mbulim më i lartë do të ndihmonte ato biznese në pozitë të mirë financiare të përfitojnë edhe interesa më të ulëta.
Skema të tilla, sipas Bankës Botërore, do të ndikonin edhe në uljen e informalitetit te ky segment biznesesh. Ndërsa ndërtimi i kapaciteteve nga ana e institucioneve shtetërore do të ndihmonte këto kompani përmes këshillimit, që të rrisnin njohuritë financiare dhe të përmirësonin modelin e tyre të biznesit. (A2 Televizion)