Izolohen tri vatra zjarresh në vend, ndërhyrje nga Forcat Ajrore dhe Greqia

Nga A2 CNN
6 Korrik 2025, 22:37 | Aktualitet

Izolohen tri vatra zjarresh në vend, ndërhyrje nga Forcat Ajrore dhe

Tri vatra zjarri, njëra prej të cilave në Finiq, që ishte aktive prej disa ditësh janë izoluar pas ndërhyrjes nga ajri nga Forcat Ajrore Shqiptare dhe atyre të Greqisë. Për të shuar vatrën e zjarrit në një masiv malor në territorin e bashkisë së Finiqit, në zonën e Shtugarit, Shqipëria ka aktivizuar edhe  Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.

Me angazhimin e Forcave Ajrore Shqiptare dhe dy avionëve zjarrfikës të ardhur nga Greqia, u bë e mundur vënia nën kontroll e flakëve. Ky operacion u koordinua në mënyrë të ngushtë mes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (AKMC) dhe Agjencisë Greke të Mbrojtjes Civile, duke siguruar një ndërhyrje të shpejtë dhe efikase.

Edhe në Poliçan, ndërhyrja ajrore ishte vendimtare për izolimin e një zjarri që rrezikonte zona të pyllëzuara të paarritshme nga toka.

Ndërkohë, në Elbasan, strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri, së bashku me Forcat e Armatosura dhe autoritetet vendore, arritën të izolojnë një vatër tjetër, duke shmangur dëme të mëdha mjedisore dhe materiale.

Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se, për shkak të kushteve të thata dhe temperaturave të larta që po përfshijnë gjithë rajonin e Mesdheut, siç paralajmërohet edhe nga harta zyrtare e shërbimit Copernicus EMS, ekziston një rrezik i lartë për shpërthim zjarresh në vend.

Autoritetet iu bëjnë apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në natyrë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast rreziku.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos