Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN se planet për krijimin e shtetit Bektashi në Shqipëri kanë nisur që në vitin 2017, ku sipas tij ka pasur edhe një kërkesë nga ana e Kryegjyshatës drejtuar kreut të Kuvendit të asokohe, Ilir Meta për çështjen në fjalë.
Sipas Gurrës, ajo që të bën përshtypje është përse kjo ide po merr jetë pikërisht tani, kur qëndroi e fjetur për gati një dekadë. Ai më tej shprehu bindjen e plotë se kjo “nuk është aspak as iniciativë, as indicie, apo ndoshta dëshirë e Shqipërisë.”
“Nuk fillon nga Shqipëria. Përse pikërisht tani, se në fakt nuk ka filluar as vjet as parvjet. Minimumi që në vitin 2017. Për këtë ka patur edhe kërkesë zyrtare nga Kryegjyshata Botërore drejtuar Kryeparlamentarit të asokohe, zotit Meta. Pra për të hedhur një hap të tillë. Për arsyet politike, apo rrethanat e atëhershme që nuk ka më shumë se, as një dekadë nuk është bërë, 8 vite”, tha Gurra në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Në vijim ai hodhi dyshime se ideja për krijimin e shtetit Bektashi është e Izraelit dhe tezën e tij e mbrojti duke zbuluar detaje nga vizita e Presidentit Isaac Herzog në Shqipëri, shtatorin e vitit 2024, ku pati takime me drejtuesin e komunitetit, “Baba Mondi”.
Gurra rezervoi kritika edhe për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, duke thënë se edhe ata indirekt kanë shtruar shtratin për zbatimin e kësaj ideje.
“Nuk u hodh, por vitin e shkuar me vizitën e Presidenti Herzog u bë thuajse fakt i kryer, qoftë lançimi në publik, qoftë edhe deklarata e zotit Rama në shtator të vitit 2024. Nuk ka qenë e Kryegjyshatës. Për fatin e keq shtratin e kësaj, ndoshta edhe pavetëdije e ka përgatitur vetë Komuniteti Mysliman. Pasi nuk mund të ngrihet, cilado qofshin synimet një President i shtetit të Izraelit dhe të vijë në takim, jo me qeverinë e kohës, por vetëm me Kryegjyshatën shtatorin e vitit të shkuar. Takimet me Kryegjyshatën nuk u bënë publike. Por me pjesëtarët e Komuniteteve Fetare në Shqipëri, ku për fatin e keq ishte edhe vetë Komuniteti. Çka nuk i shërbeu asaj, e tashmë me kalimin e kohës. Komuniteti e kuptoi gafën e vetë. Kjo nuk i ka shërbyer. Por duhet nënvizuar që nuk është një iniciativë e këtushme. Ata që kanë mbetur në Komunitetin Mysliman kanë përgatitur një shtrat për këtë lloj ideje”, deklaroi Gurra në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)