Si iu përgjigj qeveria krizës ekonomike nga koronavirusi? Ekspertët përgjigjen në “A2 Business Week”

Nga A2 CNN
29 Korrik 2020, 20:27 | Ekonomi
Si iu përgjigj qeveria krizës ekonomike nga koronavirusi?

Parlamenti miratoi sot rishikimin e tretë të buxhetit, duke reflektuar me treguesit kryesorë krizën që po shoqëron pandeminë e COVID-19. Qeveria pranon se ekonomia shqiptare do të vuajë këtë vit nga një recesion-4.3%, që gjithsesi mbetet sërish shumë më optimiste sesa partnerët ndërkombëtarë, si FMN, Banka Botërore e BERZH, që parashikojnë një recession nga -5% në -9% për vendin tonë këtë vit.

Që prej 9 marsit, kur zyrtarisht u shfaq edhe rasti i parë me koronavirus në Shqipëri, qeveria ka zbatuar dy paketa ndihme, me masa kryesisht sociale, teksa ka premtuar një plan afatgjatë 10-vjeçar, të emërtuar prej saj si “Shqipëria 2030”’. Paralelisht, kryeministri ka lançuar publikisht disa projekte të mëdha infrastrukturore, duke marrë angazhimin për t'i realizuar ato, duke filluar nga viti i ardhshëm. A është kjo përgjigjja e duhur për ekonominë dhe si pritet të jenë financat e gjithsecilit dhe ato të përbashkëta në vijim?

Në “A2 Business Week” u bë një bilanc i gjendjes së ekonomisë në mbyllje të këtij sezoni, por edhe të sfidave që na presin duke filluar nga shtatori.

Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, tha se vendi ynë pësoi dy goditje pothuajse njësoj të forta: tërmetin e nëntorit dhe pandeminë.

“Paketa e parë dhe e dytë kanë influencuar në konsum. U dha ndihma nëpërmjet paketave, por konsumi final nuk kishte rritje pozitive. Goditja nga tërmeti dhe nga pandemia janë afërsisht të barabarta. Vendi ynë ka pasur dy goditje të mëdha dhe është e pashmangshme që të shkojmë drejt rindërtimit pasi familjet duhet të strehohen sërish. Nuk e ndryshojmë dot fatin që patëm”, tha Ekonomi.

Nuk mendon kështu ekspertja e ekonomisë Elisabeta Katiaj, sipas së cilës, “paketat kanë qenë joprofesionale”.

“Nëse nuk furnizohet individi, edhe tregu nuk ka çfarë të qarkullojë. Çështja është për mënyrën se si u implementua dhe u përfitua deri te individi, ka qenë një situatë e pavlerësuar në aspektin e kosto-përfitimeve. Ka pasur raste kur janë dhënë paga padrejtësisht dhe nuk janë dhënë paga tek ata persona që duhet të jepeshin. Qeveria mbylli dyert e komunikimit me bizneset dhe funksionoi vetëm furnizimi me shkresa drejt këtyre bizneseve”, tha Katiaj.

Por, sipas Milva Ekonomit, “ka pasur mbi 3000 ankesa nga bizneset dhe janë dhënë fonde për to”: “Kjo tregon se zëri i të gjithëve është marrë në konsideratë dhe kjo gjë është në vazhdim. Vijnë ende ankesa dhe po marrin përgjigje”.

Sipas ekspertit Klodian Muço, qeveria nuk u orientua aspak drejt biznesit: “Për turizmin nuk është bërë pothuajse asgjë. U dhanë paga prej 17 000 lekësh për punonjësit, që janë nën minimumin jetik. Qeveria dha paga lufte, por humbën punën rreth 30 000 veta. Ideja është që u dha diçka te konsumatori, por jo te biznesi. Paketat e vendeve të tjera u orientuan drejt biznesit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos